Tetova do të jetë në festë nga 13 korriku deri më 4 gusht, me programin e pasur të “Verës Kulturore Tetovare”. Këtë vit, qyteti do të mirëpresë emra të njohur të muzikës, do të ofrojë mbrëmje kulturore tradicionale dhe aktivitete sportive për të gjitha moshat.

Organizatorët kanë njoftuar një listë të gjatë artistësh që do të performojnë në skenat e Tetovës. Mes tyre veçohen Sabri Fejzullahu, Xhensila Myrtezaj dhe Mahmut Ferati, ndërsa do të ketë edhe një natë të veçantë tetovare me artistë vendas si Elita 5, Big Mama dhe Shkumbin Ismaili. Përveç koncerteve, programi përfshin edhe mbrëmje kulturore me ansamble kombëtare dhe ato të rajonit, si Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve dhe Ansambli “Shota” nga Kosova.

Nuk do të mungojnë as netët rinore, të cilat do të ofrojnë gara sportive të ndryshme si hendboll rruge, Counter-Strike, bilardo dhe vaterpolo, duke shënuar kështu edhe një javë të dedikuar sportit dhe një tjetër javë filmi.

Zëdhënësi i Komunës së Tetovës, Albion Alili, theksoi se “do të jetë një verë kulturore me shumë surpriza, ku do të kemi javën e sportit, javën e filmit, netët rinore dhe koncertet e mëdha në shesh”. Ai shtoi se artistët si Xhensila Myrtezaj dhe Sabri Fejzullahu do të performojnë në Sheshin Liria, ndërsa theksoi rëndësinë e përfshirjes së folklorit dhe artistëve vendas.

Pjesa më e madhe e aktiviteteve do të mbahet në Sheshin e Tetovës, ndërsa netët rinore do të organizohen në bulevardin e ri, i cili pritet të përfundojë brenda pak ditësh. Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, nënvizoi rëndësinë e kësaj risie: “Këtë verë, një pjesë të konsiderueshme të aktiviteteve të Verës Kulturore do t’i zhvendosim në këtë pjesë të qytetit, e cila besoj se do të jetë një risi për qytetarët dhe vizitorët. Tashmë kanë nisur procedurat për të marrë pëlqim nga SPB që kjo rrugë të mbyllet gjatë orëve të mbrëmjes dhe të jetë në dispozicion të qytetarëve.”

Vera Kulturore Tetovare nis zyrtarisht më 13 korrik dhe do të përfundojë më 4 gusht. (Burimi: Alsat.mk)