**Ehat Miftaraj shpjegon procesin paszgjedhor: Hapat për konstituimin e institucioneve të reja**
Qytetarët e Kosovës do t’u drejtohen kutive të votimit të dielën e 7 qershorit për zgjedhjet e reja, të cilat u bënë të nevojshme pasi legjislatura e kaluar dështoi të zgjedhë presidentin e ri të vendit. Lidhur me afatet dhe procedurat paszgjedhore, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka shpjeguar gjithë procesin, nga konstituimi i Kuvendit deri te zgjedhja e qeverisë dhe presidentit.
**Konstituimi i Kuvendit**
Sipas Miftarajt, brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve duhet të thirret seanca konstituive e Kuvendit. Kjo seancë thirret nga presidentja në detyrë, e në rast se ajo nuk është në gjendje të thërrasë seancën e parë, Kuvendi mblidhet vetë.
“Kryetari i legjislaturës së mëparshme, jo më vonë se pesë (5) ditë para mbajtjes së seancës konstituive të Kuvendit, e thërret mbledhjen e përbashkët me kryetarët e subjekteve politike që kanë fituar ulëse në Kuvend, për të përgatitur propozimin e rendit të ditës dhe për caktimin e vendeve të deputetëve në sallën e seancave plenare,” ka shpjeguar Miftaraj për IndeksOnline. Ai shtoi se “Kuvendi konsiderohet i konstituuar vetëm pasi të zgjidhen kryetari dhe nënkryetarët. Deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë për detyrim që gjatë procedurës së zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës të jenë të pranishëm dhe të votojnë (Aktgjykim, Gjykata Kushtetuese, në rastet nr. KO193/25 dhe KO196/25).”
**Formimi i Qeverisë së Re**
Miftaraj ka folur edhe për zgjedhjen e qeverisë së re, duke theksuar se nuk ekziston një afat kushtetues për fillimin e procedurës së zgjedhjes së qeverisë dhe kryeministrit. Megjithatë, menjëherë pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës, presidentja i kërkon partisë politike ose koalicionit që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend të propozojë kandidatin për kryeministër.
“Sapo të marrë nominimin, presidentja i propozon Kuvendit kandidatin për kryeministër. Kandidati i emëruar nga partia fituese ka 15 ditë për të propozuar përbërjen e qeverisë,” ka sqaruar ai. Në rast se dështon zgjedhja e qeverisë në përpjekjen e parë, presidentja, brenda dhjetë (10) ditësh, emëron një kandidat tjetër sipas së njëjtës procedurë. Ky kandidat i dytë ka 15 ditë të tjera për të propozuar përbërjen e qeverisë. “Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet qeveria, atëherë presidentja shpall zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre,” shtoi Miftaraj.
**Zgjedhja e Presidentit**
Duke folur për zgjedhjen e presidentit të vendit, Miftaraj ka thënë se afati kushtetues prej gjashtëdhjetë (60) ditësh për zgjedhjen e presidentit fillon të llogaritet nga dita e konstituimit të Kuvendit. Kuvendi, sipas tij, shpërndahet nëse brenda këtij afati nuk arrin të zgjedhë presidentin.
