Aksident tragjik në SHBA: Pesë persona humbin jetën pas rrëzimit të një avioni me sportistë në Teksas. Një avion i vogël, i cili transportonte lojtarë të pickleball-it, u rrëzua mes pemëve në rajonin Texas Hill Country, duke shkaktuar vdekjen e të gjithë pesë personave në bord, njoftuan autoritetet të premten.
Ngjarja e rëndë u regjistrua rreth orës 23:00 të së enjtes, në qytetin Wimberley, rreth 40 milje (afërsisht 64 kilometra) në jugperëndim të Austin, sipas njoftimit të Departamentit të Sigurisë Publike të Teksasit.
“Piloti dhe katër pasagjerët në bord u shpallën të vdekur në vendngjarje,” deklaroi zyrtari Billy Ray.
Klubi i pickleball-it i Amarillos njoftoi se viktimat ishin anëtarë të klubit, të cilët po udhëtonin drejt një turneu. Më pas, ata u identifikuan si Seren Wilson, Brooke Skypala, Stacy Hedrick, Glen Appling dhe Hayden Dillard.
“Në këto momente të vështira, ju lutemi mbajini familjet e tyre në mendimet dhe lutjet tuaja,” thuhej në reagimin e klubit.
Avioni i tipit Cessna 421C ishte nisur nga Amarillo dhe po udhëtonte drejt Aeroportit Kombëtar New Braunfels. Fotot ajrore të publikuara nga mediat tregojnë mjetin fluturues plotësisht të shkatërruar në një zonë me pyje.
Hetimet paraprake tregojnë se avioni po udhëtonte me shpejtësi të lartë në momentin e përplasjes dhe nuk ka asnjë indikacion për ndonjë përplasje në ajër.
Një banore e zonës, Stacey Rohr, dëshmoi se ndjeu një goditje të fortë dhe dridhje në shtëpi. “Ishte aq afër sa mendova se pjesa e pasme e shtëpisë sime ishte përfshirë nga flakët,” u shpreh ajo.
Lojtarët po udhëtonin drejt një turneu pickleball të organizuar në Cranky Pickle, rreth 30 milje (afërsisht 48 kilometra) në verilindje të San Antonios. Organizatorët njoftuan anulimin e turneut të së premtes, ndërsa aktivitetet pritet të rifillojnë me një homazh në nderim të viktimave.
“Jemi thellësisht të pikëlluar. Komuniteti i pickleball-it është shumë i lidhur, të gjithë njihen me njëri-tjetrin,” u shpreh organizatori Martin Robertson.
Presidenti i klubit, Dan Dyer, deklaroi se kishte luajtur shpesh me katër nga viktimat, duke shtuar: “Ata ishin lojtarë të shkëlqyer, gjithmonë konkurrues.”
Autoritetet bënë të ditur gjithashtu se një avion tjetër, që po udhëtonte nga Amarillo drejt të njëjtit eveniment, u ul në mënyrë të sigurt në New Braunfels.
Sipas komunikimeve të kontrollit ajror, piloti i avionit të rrëzuar kishte filluar të lëvizte në mënyrë të çrregullt përpara se të zhdukej nga radarët. Një pajisje emergjence në bord kishte dërguar një sinjal ndihme, duke rezultuar në njoftimin e shërbimeve emergjente.
Sipas Shërbimit Kombëtar të Motit, moti në zonë ishte kryesisht i vranët pak para aksidentit, ndërsa një stuhi u regjistrua rreth dy orë më vonë.
