**Nikolloski nga Selaniku thekson përkushtimin për zhvillimin e infrastrukturës rajonale**

Aleksandar Nikolloski, zëvendëskryeministër dhe ministër i Transportit i Maqedonisë së Veriut, theksoi përkushtimin e qartë për zhvillimin e infrastrukturës në rajon. Ai u shpreh se janë përcaktuar qartë parimet dhe rregullat për investime të përbashkëta në ndërtimin e Korridorit Hekurudhor 10. Këto deklarata Nikolloski i bëri gjatë pjesëmarrjes së tij në Samitin e Investimeve në Transport, me temë “Sigurimi i rritjes dhe konkurrencës përmes lidhshmërisë”, që po mbahet sot në Selanik.

Për këtë përkushtim, tha Nikolloski, dëshmon organizimi i samitit nga ana e Bashkimit Evropian, i cili përfaqësohet në nivelin më të lartë nga Komisari për Transport dhe Mobilitet, Apostolos Cicikostas. Gjithashtu, në samit janë përfaqësuar në nivel të lartë qeveritë e Maqedonisë së Veriut, Greqisë, Serbisë, Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi, Bosnjë e Hercegovinës, Kroacisë dhe Sllovenisë.

Korridori Hekurudhor 10, vlerësoi Nikolloski, përbën të ardhmen për zhvillimin e tregtisë dhe të porteve në rajon. “Prandaj jam i kënaqur që, përveç Maqedonisë së Veriut, edhe Greqia, Serbia dhe Kroacia kanë shfaqur një angazhim të qartë për të investuar në Korridorin 10,” deklaroi ai. “Kjo thekson më tej rëndësinë e investimit tonë në ndërtimin e një hekurudhe me shpejtësi të lartë që do të operojë në Korridorin 10 – një korridor kyç dhe ekonomikisht i rëndësishëm, që do t’i sjellë përfitime dhe justifikim ekonomik Maqedonisë së Veriut.” Nikolloski ishte folës në panelin me titull “Realizimi i zgjerimit të TEN-T: Prioritetet e Infrastrukturës dhe Sfidat e Investimeve në Ballkanin Perëndimor”.

Nikolloski theksoi se në Korridorin 10 tashmë ekziston një autostradë nga kufiri verior në atë jugor dhe se po punohet për modernizimin e saj.

“Së bashku me Bankën Botërore, po punojmë në vendosjen e sistemeve inteligjente të transportit, një projekt që pritet të fillojë së shpejti, si dhe në përmirësimin dhe përshpejtimin e sistemeve që lidhen me doganën. Kur e gjithë kjo vihet në kontekst, sot është vërtet një mesazh i fuqishëm se rajoni ka një të ardhme dhe po ruan e përmirëson pozicionin e tij, ndërsa Maqedonia e Veriut veçanërisht, si një udhëkryq i dy korridoreve pan-evropiane – Korridorit 8 dhe Korridorit 10, po fiton rëndësi gjeostrategjike,” tha Nikolloski.

Në fokus të samitit janë implementimi i zgjerimit të Rrjetit Trans-Evropian të Transportit (TEN-T), Korridori Ballkani Perëndimor – Mesdheu Lindor, si dhe Plani i Rritjes së Ballkanit Perëndimor. Në prani të institucioneve financiare ndërkombëtare, do të diskutohet se si të përmirësohet koordinimi i donatorëve, të forcohet përgatitja e projekteve, të rritet pjesëmarrja e sektorit privat dhe të shndërrohen prioritetet e lidhshmërisë në investime konkrete.