Në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së, kanë nisur punimet e Konferencës së Dytë Ndërkombëtare për Mjekësinë Sportive (ICSM 2026), me temën “Innovation and Resilience in Sport Medicine”. Kjo ngjarje shkencore bashkoi profesionistë shëndetësorë, hulumtues, akademikë dhe ekspertë të sportit nga vendi dhe bota për të diskutuar zhvillimet e reja, inovacionin dhe qëndrueshmërinë në praktikën klinike e sportive.
Konferenca u organizua nga Instituti për Mjekësi Sportive i UBT-së, në bashkëpunim me Federatën Ndërkombëtare të Mjekësisë Sportive (FIMS), projekti SHAPE, si dhe Shoqatën e Kosovës për Mjekësi Sportive dhe Ushtrimore (KASEM). Këtë vit, konferenca u akreditua edhe nga Oda e Mjekëve të Kosovës në kuadër të Edukimit të Vazhdueshëm Profesional (EVP).
Gjatë punimeve të këtij takimi ndërkombëtar u adresuan tema me rëndësi të veçantë për zhvillimin e mjekësisë sportive, përfshirë shëndetin funksional, radiologjinë, ortopedinë, teknologjitë e bartshme (wearable technologies), inteligjencën artificiale, si dhe mundësitë që sjell inovacioni teknologjik në përmirësimin e kujdesit shëndetësor dhe performancës fizike.
Në konferencë morën pjesë personalitete të shquara, si Presidenti i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, Zëvendësministri i Shëndetësisë, Dr. Arsim Berisha, Presidenti i FIMS-it, Prof. Dr. Fabio Pigozzi, Zëvendëspresidenti i FIMS-it, Prof. Dr. Norbert Bachl, si dhe Ibër Alaj, Drejtor i Departamentit të Sportit në Ministrinë për Sport dhe Rini.
Hapjen solemne e bëri Presidenti dhe Themeluesi i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, i cili falënderoi bashkëpunëtorët ndërkombëtarë e vendorë për besimin dhe partneritetin e vazhdueshëm. Në fjalën e tij, ai theksoi transformimin e madh që po pëson kjo fushë përmes integrimit të teknologjive të reja.
“Mjekësia sportive sot nuk përcaktohet vetëm nga trajtimi i dëmtimeve apo rikthimi i performancës fizike. Ajo po bëhet një fushë shumë më e gjerë dhe më e integruar, që bashkon parandalimin, diagnostikimin, rehabilitimin, shëndetin funksional, të dhënat, sistemet e inteligjencës, imazherinë mjekësore, teknologjitë e bartshme dhe inteligjencën artificiale. Përgjegjësia jonë është të sigurojmë që inovacioni të mbetet i lidhur me provat shkencore, etikën profesionale, mirëqenien njerëzore dhe nevojat reale klinike”, u shpreh Hajrizi.
Më tej, Rektori Hajrizi potencoi se UBT mbetet e përkushtuar në ndërtimin e një ekosistemi ku arsimi, kërkimi shkencor dhe teknologjia funksionojnë së bashku. Ai veçoi konceptin e “UBT Smart City” si një hapësirë reale kërkimore dhe vuri në dukje rëndësinë e përgatitjes për ngjarjet e mëdha sportive, si Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”, me qëllim ngritjen e kapaciteteve afatgjata shkencore e shëndetësore në vend.
“Në UBT, ne besojmë fuqimisht se e ardhmja e kujdesit shëndetësor dhe e mjekësisë sportive do të varet pikërisht nga ky lloj integrimi. Vizioni ynë është të zhvillojmë një mjedis ku arsimi, kërkimi shkencor, inovacioni, teknologjia dhe praktika klinike funksionojnë si pjesë e të njëjtit ekosistem inovacioni. Ne po shikojmë drejt Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030 si një mundësi për të ndihmuar në zhvillimin e kapaciteteve të qëndrueshme, ku synimi ynë nuk është thjesht mbështetja e një ngjarjeje, por forcimi i infrastrukturës shëndetësore dhe shkencore që do të mbetet pas saj”, tha mes tjerash Rektori Hajrizi.
Nërsa, Zëvendësministri i Shendetësisë Dr. Arsim Berisha, vlerësoi lart punën e UBT-së dhe Presidentit Hajrizi për kontributin e dhënë në shërbim të rinisë dhe për themelimin e Institutit të Mjekësisë Sportive, duke konfirmuar gatishmërinë e ministrisë për bashkëpunim të ngushtë.
“Mjekësia sportive nuk kufizohet vetëm në trajtimin e lëndimeve të sportistëve; ajo është një pjesë tejet e rëndësishme e shëndetit publik, e parandalimit të sëmundjeve, e promovimit të aktivitetit fizik dhe e përmirësimit të mirëqenies fizike e mendore të qytetarëve, e posaçërisht të rinjve. Ministria e Shëndetësisë mbetet e përkushtuar në mbështetjen e iniciativave që promovojnë kujdesin parandalues, ndërsa prania ime këtu dëshmon gatishmërinë për një bashkëpunim të ngushtë me Universitetin UBT”, nënvizoi Zëvendësministri Berisha.
Gjithashtu në fjalën e tij, Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Mjekësisë Sportive (FIMS), Prof. Dr. Fabio Pigozzi, shprehu kënaqësinë për rikthimin në Prishtinë dhe vlerësoi lart partneritetin e konsoliduar me UBT-në. Ai nënvizoi se Kosova tashmë është pjesë e rrjetit global të FIMS-it dhe njoftoi zyrtarisht certifikimin e qendrës së re bashkëpunuese në UBT.
“Jam vërtet i nderuar të jem këtu sot në cilësinë e Presidentit të FIMS-it, sepse marrëdhënia jonë me UBT-në është forcuar ndjeshëm dhe Kosova tashmë është bërë pjesë e familjes sonë ndërkombëtare. FIMS-i ka një rrjet prej 118 shoqatash kombëtare dhe misioni ynë është promovimi i studimeve shkencore, ruajtja e shëndetit përmes sportit dhe mbështetja e kërkimit mjekësor. Jam jashtëzakonisht i lumtur që këtë vit rrjeti ynë global përfshin edhe një qendër të re bashkëpunuese këtu në Prishtinë, e cila është një institucion i mrekullueshëm”, theksoi Prof. Pigozzi.
Presidenti i FIMS-it theksoi gjithashtu se qendra e re në UBT bashkohet me vetëm dy qendra të tjera të reja të akredituara këtë vit në botë, përkatësisht në Tashkent dhe Hong Kong, duke e vendosur Kosovën në hartën globale të edukimit dhe kërkimit shkencor në mjekësinë sportive.
“Këtë vit kemi akredituar vetëm tri qendra të reja bashkëpunuese në të gjithë botën: në Prishtinë, në Tashkent të Uzbekistanit dhe në Hong Kong. Qëllimi i këtyre qendrave është promovimi i edukimit, kërkimit shkencor dhe shkëmbimit ndërkombëtar. Përgëzoj përzemërsisht Profesor Edmond Hajrizin për këtë arritje të madhe dhe me kënaqësi i dorëzoj zyrtarisht pllakatën e akreditimit FIMS për qendrën e re”, u shpreh tutje Presidenti i FIMS-it.
Nga ana e tij, Zëvendëspresidenti i FIMS-it, Prof. Dr. Norbert Bachl, përgëzoi UBT-në për arritjet e mëdha infrastrukturore e akademike. Ai vuri në dukje rëndësinë e këtij suksesi që kurorëzohet me statusin e Qendrës Bashkëpunuese të FIMS-it, duke shprehur besimin se ky institut do të shërbejë si urë lidhëse për kërkimin shkencor dhe avancimin klinik në mjekësinë sportive.
“Edmond, mund të krenohesh me arritjen e kaq shumë strukturave të realizuara në mënyrë të përkryer dhe fakulteteve të jashtëzakonshme. Jam mjaft i lumtur që pas themelimit të Institutit të Mjekësisë Sportive në UBT, ky angazhim u kurorëzua me statusin e Qendrës Bashkëpunuese të FIMS-it. Kjo përfaqëson një arritje të jashtëzakonshme që përbën bazën për zhvillimin e mëtutjeshëm dhe për ndërtimin e bashkëpunimeve të frytshme ndërkombëtare”, u shpreh Prof. Bachl.
Një fjalë përshëndetëse mbajti edhe Drejtori i Departamentit të Sportit në Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sport, Dr. Ibër Alaj, i cili theksoi se investimi në mjekësinë sportive është investim i drejtpërdrejtë te shëndeti i qytetarëve. Ai shprehi gatishmërinë e ministrisë për të bashkëpunuar ngushtë me UBT-në për ngritjen e kapaciteteve të përbashkëta shkencore e sportive.
“Sporti sot nuk mund të kuptohet vetëm përmes garës, rezultateve dhe medaljeve; sporti është, para së gjithash, shëndet, mirëqenie, edukim dhe përfshirje shoqërore. Prandaj, zhvillimi i sportit duhet të ecë paralelisht me zhvillimin e mjekësisë sportive dhe kërkimit shkencor. UBT, përmes kësaj konference, po jep një shembull të shkëlqyer të krijimit të një platforme shkencore që mundëson shkëmbimin e hulumtimeve më të fundit, pasi investimi në mjekësinë sportive është investim te njerëzit”, deklaroi Dr. Alaj.
Punimet e Konferencës së Dytë Ndërkombëtare për Mjekësinë Sportive do të vazhdojnë gjatë tërë ditës me sesione të veçanta shkencore, ku ekspertë, profesorë dhe hulumtues të njohur vendorë e ndërkombëtarë do të paraqesin prezantimet e tyre mbi risitë e fundit në këtë fushë.


