Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka nisur seanca gjyqësore kundër Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt.

Në seancën e kaluar, Prokuroria ngriti dyshimet se krimi i rëndë ndodhi për shkak të përfitimit financiar. Ky institucion ka vlerësuar borxhet e Naim Murselit, të cilat arrijnë në rreth 500 mijë euro.

Gjatë kësaj seance, Naim Murseli kërkoi të komunikojë me djalin e tij, si dhe me Behgjet Pacollin.

Kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dermaku, njoftoi se kërkesa për komunikim me Pacollin refuzohet, pasi ligji nuk e lejon kontaktin me këtë kategori personash.

“Keni parashtruar kërkesë për të komunikuar me djalin. Kam kontaktuar me autoritetet suedeze dhe jam në pritje të përgjigjes së tyre. Ndërsa, për kërkesën që keni bërë për të komunikuar me Behgjet Pacollin, me numër telefoni të Zvicrës dhe me dhëndrin tuaj – ajo është kërkesë që nuk lejohet, sepse ligji nuk e lejon këtë kategori personash,” u shpreh Dermaku.

Në seancën e 29 janarit, Murseli deklaroi para trupit gjykues se nuk kishte pasur asnjë marrëveshje për vrasjen e Liridonës. Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor 2023, në orën 20:25, në rrugën “Dalip Alshiqi” në fshatin Bërnicë të Prishtinës.