Të martën, një person i armatosur hapi zjarr në një zyrë sigurimesh shoqërore dhe më pas në një gjykatë në qendër të Athinës, duke plagosur disa persona. Lajmin e konfirmuan autoritetet greke.
Një operacion policor është në zhvillim e sipër për të kapur sulmuesin, i cili, sipas mediave greke, dyshohet të jetë një burrë 89-vjeçar.
Policia bëri me dije se sulmuesi, i armatosur me një pushkë gjahu, fillimisht qëlloi në zyrën e Fondit Kombëtar të Sigurimeve Shoqërore (EFKA), duke plagosur një punonjës. Oficerët e policisë mbërritën shpejt në vendngjarje dhe i dhanë ndihmën e parë personit të plagosur, ndërkohë që autori i sulmit ishte larguar.
Më pas, i njëjti person dyshohet se hapi zjarr në katin përdhes të Gjykatës së Apelit në Athinë, ku mbetën të plagosur disa persona të tjerë. Policia theksoi se arma e krimit, pushka, u gjet në vendngjarje.
Pamjet e transmetuara nga televizioni shtetëror tregonin ekipet e ambulancës duke transportuar të paktën tre persona nga gjykata drejt spitaleve.
Motivi i këtij akti mbetet ende i paqartë. Megjithatë, raportohet se pas të shtënave në gjykatë, autori kishte hedhur në dysheme zarfa me dokumente, duke deklaruar se ato përmbanin arsyet e veprimeve të tij.
