Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se do të dëshironte shumë të shihte një Irlandë të bashkuar, gjatë një takimi me Taoiseach-un (kryeministrin irlandez) në kuadër të vizitës së tij në Dublin.

Trump po zhvillon një vizitë dyditore në Irlandë, ku më herët pati një takim kortezie me presidenten irlandeze Catherine Connolly në Áras an Uachtaráin, rezidenca zyrtare e presidentit të Irlandës, raporton BBC.

Ai mori pjesë në disa takime në Dublin, përpara se të udhëtonte drejt kontesë Clare për turneun e golfit Amgen Irish Open.

Trump tha se një Irlandë e bashkuar do të realizohej përfundimisht dhe se Taoiseach-u ishte **“njeriu i duhur këtu për ta vënë këtë proces në lëvizje”.

Ndërkohë, më shumë se 10,000 njerëz marshuan nëpër Dublin për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj presidentit amerikan.

Gjatë takimit me Micheál Martin në Farmleigh House, në Phoenix Park, Trump tha se një Irlandë e bashkuar do të ishte “një gjë fantastike”, duke shtuar: “Sigurisht, Mbretëria e Bashkuar do të kishte diçka për të thënë për këtë, por mendoj se do të ishte një gjë e mrekullueshme. Dua të them, si mund të jetë diçka e keqe?”

Të mërkurën, Burnham shtoi se “çështja e një referendumi për kufirin” i takonte sekretarit të Irlandës së Veriut “kur të ketë një konsensus të qartë në vend – kur opinioni publik të ketë ndryshuar deri në pikën kur thirrja e një referendumi duhet të merret në konsideratë”.

Një zëdhënës i Martin tha se komentet e Trumpit “nuk duhet të jenë befasi për askënd” dhe se presidenti amerikan ka qenë “i qëndrueshëm në qëndrimin e tij se e sheh bashkimin e Irlandës si rezultatin optimal”.

Marrëveshja e së Premtes së Mirë përcakton se sekretari i shtetit duhet të thërrasë një referendum për kufirin nëse duket e mundshme që shumica e njerëzve në Irlandën e Veriut do të votonin për bashkimin me Irlandën. Rrethanat se kur mund të ndodhë një gjë e tillë janë objekt i debatit të vazhdueshëm në Irlandën e Veriut dhe në Republikën e Irlandës.

Në fillim të kësaj jave, Martin tha se nevojitej ‘’më shumë qartësi mbi rrethanat se kur mund të thirret një referendum për kufirin’’, ndërsa Burnham përjashtoi thirrjen e një referendumi, duke e cilësuar atë si “jashtë diskutimit”.

Kryetarja e Sinn Féin, Mary Lou McDonald, tha se i kishte marrë në dijeni komentet e Trumpit për një Irlandë të bashkuar dhe se barra e përgjegjësisë i takonte Taoiseach-ut për të nisur planifikimin.

Kreu i Partisë Unioniste Demokratike (DUP), Gavin Robinson, tha se Trumpi “e di më mirë se shumica se zgjedhjet kanë rëndësi”.

“E ardhmja kushtetuese e Irlandës së Veriut do të vendoset nga populli i Irlandës së Veriut, jo nga komentet në Londër, Dublin apo Uashington,” tha ai.