Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka shprehur shqetësim të thellë për bllokimin e vazhdueshëm politik dhe institucional, si dhe për skenat e fundit në Kuvendin e Kosovës, duke përfshirë konfrontimet verbale e fizike ndërmjet përfaqësuesve të zgjedhur dhe incidentet mes qytetarëve që ndodheshin në sallën e Kuvendit.
Në një reagim, Oda Amerikane thekson se Kuvendi duhet të jetë hapësirë e debatit demokratik dhe e respektit institucional.
“Kuvendi duhet të mbetet një vend i debatit demokratik, dinjitetit institucional dhe respektit për qytetarët. Mospajtimet politike, sado të thella, nuk mund të arsyetojnë sjelljen që minon besimin e publikut në institucionet demokratike të Kosovës”, thuhet në reagim.
Sipas Odës Amerikane, kriza e zgjatur politike tashmë po shkakton pasoja të konsiderueshme ekonomike dhe sociale, duke dëmtuar besimin e investitorëve dhe duke vonuar investimet, reformat dhe projektet infrastrukturore.
“Pasiguria institucionale dobëson besimin e investitorëve, vonon vendimet për investime të brendshme dhe të jashtme, ngadalëson reformat dhe projektet infrastrukturore, kufizon qasjen në financa ndërkombëtare dhe rrjedhimisht ndikon në rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës”, thekson Oda.
Ajo paralajmëron se Kosova nuk mund të përballojë humbjen e mundësive të mëtejshme për shkak të paralizës politike.
Shqetësim i veçantë, sipas Odës, është edhe funksionimi i zgjatur i një qeverie në detyrë pa një Kuvend të konstituuar.
“Pa një Kuvend funksional, Kosova është praktikisht e privuar nga një nga mekanizmat themelorë të qeverisjes demokratike: mbikëqyrja efektive parlamentare ndaj ekzekutivit”, thuhet në reagim.
Oda Amerikane vlerëson se mungesa e kontrollit parlamentar dhe llogaridhënies institucionale për një periudhë të gjatë mund të rrisë rreziqet për keqpërdorim të resurseve publike, të dobësojë transparencën dhe të krijojë hapësirë për korrupsion potencial dhe forma të tjera të abuzimit institucional.
Në reagim përmenden edhe thirrjet e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara drejtuar liderëve politikë të Kosovës për krijimin e institucioneve funksionale, në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Oda Amerikane thekson se të gjitha partitë parlamentare kanë përgjegjësi për të kontribuar në zgjidhjen e krizës, por vlerëson se përgjegjësia nuk është e barabartë.
“Forca politike, të cilës i është besuar numri më i madh i mandateve nga votuesit, mban përgjegjësinë kryesore për krijimin e kushteve të nevojshme për konstituimin e Kuvendit dhe krijimin e institucioneve funksionale”, thuhet në deklaratë.
Sipas Odës, fitorja në zgjedhje nuk nënkupton vetëm të drejtën për të udhëhequr, por edhe përgjegjësinë për të siguruar funksionimin e institucioneve.
Në fund, Oda Ekonomike Amerikane u ka bërë thirrje të gjithë akterëve politikë që të ulin tensionet dhe të rikthejnë dialogun.
“Stabiliteti demokratik, zhvillimi ekonomik, sundimi i ligjit dhe interesat euroatlantike të Kosovës duhet të vendosen përmbi kalkulimet e ngushta politike”, përfundon reagimi.
