**Operacion i Gjerë Ndërkombëtar Kundër Shfrytëzimit Seksual të Fëmijëve: Bastisje në 16 Vende**
Një operacion i madh ndërkombëtar policor, i koordinuar kundër krimeve të shfrytëzimit seksual të të miturve, veçanërisht në internet, është zhvilluar njëkohësisht në 16 vende. Lajmin e bënë të ditur autoritetet e Brazilit.
Aksioni, i koduar “Aleanca Ndërkombëtare për Fëmijët”, ka për qëllim goditjen e rrjeteve kriminale që cenojnë integritetin dhe sigurinë e fëmijëve dhe adoleshentëve në nivel ndërkufitar, theksoi Policia Federale e Brazilit.
Operacionet u kryen në Brazil, Francë, Argjentinë, Kolumbi, Kosta Rika, El Salvador, Spanjë, Guatemalë, Honduras, Meksikë, Panama, Paraguaj, Peru, Puerto Riko, Republikën Domenikane dhe Uruguaj.
Vetëm në Brazil, më shumë se 700 efektivë policie u angazhuan në këtë aksion, duke ekzekutuar 16 urdhër-arreste dhe duke kryer 159 kontrolle në 26 shtete të vendit.
Sipas koordinatorëve të operacionit, ky aksion synon të luftojë në mënyrë të drejtpërdrejtë abuzimin dhe shfrytëzimin seksual të të miturve, me fokus të veçantë aktivitetet kriminale që zhvillohen në hapësirën online.
