Kryeministri hungarez Viktor Orban ka inspektuar të hënën gazsjellësin “Rrjedha Turke” (TurkStream) pranë kufirit hungarezo-serb, pas pretendimeve të qeverisë së tij se infrastruktura energjetike ka qenë objektiv i tentativave të dështuara për sabotazh. Vizita vjen gjashtë ditë para zgjedhjeve parlamentare, ku sondazhet tregojnë se Orban mund të humbë.

“Dje ata dëshironin të shpërthyerin tubacionin e gazit,” shkroi Orban në Facebook para nisjes drejt pikës kufitare. “Jemi duke kontrolluar nëse gjithçka është në rregull në anën hungareze.”

Autoritetet serbe njoftuan se më 5 prill, afër fshatit Velebit në veri të Serbisë, gjetën rreth katër kilogramë lëndë shpërthyese, bashkë me ndezës detonatorësh dhe pajisje për montimin e tyre. Zyra e Prokurorit të Lartë në Suboticë e ka klasifikuar rastin si trafikim të paligjshëm armësh dhe lëndësh shpërthyese, i lidhur me sabotazhin e dyshuar. Ky zbulim nxiti polemika të shumta, veçanërisht duke qenë se ndodhi pak para zgjedhjeve në Hungari.

Duke folur në një takim të jashtëzakonshëm të Këshillit të Mbrojtjes së Hungarisë, Orban nuk e përmendi drejtpërdrejt Ukrainën, por tha se Kievi “me vite ka tentuar t’ia pamundësojë Evropës energjinë ruse”. Ai shtoi se sulmet ndaj segmentit rus të “Rrjedhës Turke” përbëjnë “rrezik fatal për Hungarinë”. Ministria e Jashtme e Ukrainës mohoi çdo përfshirje.

Ndërkohë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se “nuk ka të dhëna të besueshme” se kush është përgjegjës, por sugjeroi mundësinë e përfshirjes së Ukrainës, duke cituar sulmet e pretenduara nga ai ndaj infrastrukturës energjetike në të kaluarën.

Reagime pati edhe nga inteligjenca ushtarake e Serbisë. Duro Jovaniq, drejtor i Agjencisë Ushtarake të Sigurisë, tha se “nuk është e vërtetë se ukrainasit kanë tentuar të organizojnë këtë sabotazh” dhe se atribuime të tilla e komplikojnë gjetjen e përgjegjësve. “Bazuar në shenjat në lëndët shpërthyese, është e qartë se prodhuesi është nga Shtetet e Bashkuara,” tha Jovaniq. “Tani, a do të sugjerojë dikush që Shtetet e Bashkuara do të përfitonin nga kjo situatë në këtë moment?” Sipas tij, analizat forenzike të provave janë duke u kryer dhe do të ketë informacione të reja. Ai po ashtu theksoi se agjencia e tij ka muaj që paralajmëron lidershipin politik për sulme të mundshme në infrastrukturën e gazit, por shqetësimet e tij ishin pritur me “skepticizëm dhe mosmarrëveshje”. Jovaniq pretendon se pas operacionit të dyshuar të sabotazhit qëndron një emigrant me trajnim ushtarak.

Sërgjan Cvijiq nga Qendra e Beogradit për Politika të Sigurisë ka dilema në këtë drejtim. “Autoritetet tona nuk guxojnë të akuzojnë hapur Ukrainën, prandaj shpikin një migrant të supozuar, çka i shkon përshtat retorikës anti-emigracion të Orbanit,” tha ai për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.

Ky incident ka ardhur në kohën e mosmarrëveshjeve të tjera lidhur me sektorin e energjisë. Budapesti ka pasur përplasje me Kievin për pezullimin e transportit të burimeve ruse të energjisë përmes gazsjellësit Druzhba, për çka Hungaria dhe Sllovakia fajësojnë Ukrainën, ndërsa Kievi ia atribuon fajin një sulmi rus me dronë për dëmet në tubacion. Orban ka përfituar nga këto mosmarrëveshje për të bllokuar miratimin formal të kredisë së BE-së për Ukrainën në vlerë prej 90 miliardë eurosh, e cila është miratuar nga 26 vendet e tjera të bllokut në dhjetor.

Në një pamje më të gjerë, Orban dhe partia e tij Fidesz kanë tentuar të lidhin liderin e opozitës, Peter Magyar, me Ukrainën dhe BE-në. Magyar e ka përshkruar incidentin në tubacion si një përpjekje të qartë për të rritur mbështetjen për Orbanin. Megjithatë, Orban, duke folur para kamerave, e ka hedhur poshtë këtë pretendim. “Ky zhvillim nuk ndikon në zgjedhje. Ajo prek sigurinë energjetike të Hungarisë. Le të mos e përziejmë fushatën me qeverisjen e shtetit,” tha ai.

Zgjedhjet në Hungari do të mbahen më 12 prill, ndërsa Viktor Orban është në pushtet prej 16 vitesh.