**Organizatorët e “Topit të Artë” shpjegojnë gabimin në publikimin e artikujve, para ceremonisë**

Organizatorët e “Topit të Artë” kanë kërkuar falje për një gabim të ndodhur në faqen e tyre zyrtare të internetit, pak para nisjes së ceremonisë së ndarjes së çmimeve. Një komunikatë është publikuar në uebfaqen e eventit, pasi artikujt që shpallnin pesë fitues të mundshëm të çmimeve për futbollistët dhe futbollistet më të mira të vitit, u publikuan gabimisht.

Rreth orës 18:30 të mbrëmjes, në faqen zyrtare të “Topit të Artë” u shfaqën artikuj të veçantë për tre favoritët kryesorë të kategorisë së meshkujve: Harry Kane, Lamine Yamal dhe Kylian Mbappe. Këto artikuj qëndruan online për disa minuta, përpara se të fshiheshin, pasi organizatorët u njoftuan për gabimin e ndodhur.

Gjithashtu, u publikuan aksidentalisht edhe artikujt për Alexia Putellas, favoriten e çmimit të femrave, si dhe Ewa Pajor, përpara se të hiqeshin shpejt nga faqja e internetit.

Tashmë, në faqen zyrtare të “Topit të Artë” është publikuar një komunikatë zyrtare. Komunikata, e cila u shpërnda pak para fillimit të ceremonisë, konfirmon se publikimet ishin një gabim dhe nuk pasqyrojnë në asnjë mënyrë rezultatet reale apo renditjen përfundimtare të podiumit.

Në të thuhet: “Portretet e disa kandidatëve për Topin e Artë, të përgatitura nga ballondor.com, u publikuan pa dashje në internet. Këto artikuj ishin përgatitur paraprakisht për të gjithë kandidatët, në rast fitoreje. Ata nuk zbulojnë në asnjë mënyrë podiumin, i cili në këtë moment mbetet i panjohur për të gjithë.”

Kjo nuk është hera e parë që informacione rreth kandidatëve publikohen gabimisht në faqen e internetit të “Topit të Artë”. Në ditën e shpalljes së nominimeve, profilet e disa futbollisteve, emrat e të cilave ende nuk ishin bërë publikë, u ngarkuan në faqe përpara se të hiqeshin menjëherë.

Harry Kane aktualisht konsiderohet favoriti kryesor nga kompanitë e basteve për të fituar “Topin e Artë” për meshkuj, para fillimit të ceremonisë. Mbappe dhe Yamal janë gjithashtu ndër pretendentët e fortë, duke bërë që disa të spekulonin se publikimi i profileve mund të kishte konfirmuar treshen e parë. Megjithatë, është shumë e mundshme që tre lojtarët e përmendur të jenë pjesë e podiumit, duke marrë parasysh që një numër futbollistësh të tjerë të shquar, përfshirë dyshen e Real Madridit, Jude Bellingham dhe Vinicius Junior, si dhe Pau Cubarsi të Barcelonës, nuk kanë udhëtuar drejt Londrës për ceremoni.

Sa i përket çmimit për femra, mesfushorja Alexia Putellas, e cila aktualisht luan me London City Lionesses, por shkëlqeu sezonin e kaluar me Barcelonën ku fitoi kampionatin spanjoll dhe Ligën e Kampionëve për femra, konsiderohet favoritja kryesore. Ish-bashkëlojtaret e saj te Barcelona, Patri Guijarro dhe Ewa Pajor, janë gjithashtu ndër pretendentet kryesore për këtë çmim.

Ceremonia ishte parashikuar të fillonte rreth orës 21:00, por shpallja e fituesve të dy çmimeve kryesore pritet të bëhet shumë më vonë. Fillimisht do të ndahet çmimi për femra, ndërsa ai për meshkuj pritet të ndahet ndërmjet orës 22:45 dhe 23:00.