Presidentja Osmani në Studime të Vushtrrisë: Ende nuk ka drejtësi për krimet e Serbisë
Sipas Ekonomia Online, Presidentja Vjosa Osmani, së bashku me ish-kryetarin e Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, bënë homazhe në Studimet e Vushtrrisë.
Presidentja Osmani theksoi se ende mungon drejtësia për krimet që janë kryer ndaj civilëve shqiptarë nga ushtria dhe policia serbe.
“Si çdo vit, jemi pranë familjeve të Studimeve, të cilët përkujtojnë më të dashurit e tyre në këtë ditë kur makineria gjenocidale serbe vrau civilë të paarmatosur, nga foshnjat deri te më të moshuarit, duke treguar se nuk kishte asnjë pikë mëshire dhe duke dëshmuar edhe një herë se qëllimi i vetëm i Serbisë në raport me Kosovën ishte shfarosja e popullit shqiptar.
Edhe sot e kësaj dite nuk ka drejtësi për të gjithë ata që u masakruan në mënyrën më të vrazhdë të mundshme nga ana e Serbisë. Edhe sot, familjet që po i shohim këtu, vazhdojnë të punojnë, vazhdojnë të insistojnë, vazhdojnë të luftojnë që të ketë drejtësi për vrasjen e më të dashurve të tyre.
Serbia ka kryer krime të tmerrshme në Kosovë, nga krimet kundër njerëzimit, te krimet e luftës e deri te gjenocidi kundër popullit tonë. Prandaj kurrë nuk do t’i harrojmë këto krime. Natyrisht që kurrë nuk do t’i falim dhe, në të njëjtën kohë, kurrë nuk do të heqim dorë nga përpjekjet tona të përbashkëta për drejtësi.
Si çdo vit, jemi këtu me bashkëpunëtorë për të ndarë dhimbjen me familjet që kanë humbur më të dashurit e tyre dhe për të dëshmuar se kujtimi i tyre do të rrojë aq sa do të rrojë edhe vetë Republika jonë sovrane e pavarur, pra përjetë”, tha Osmani.
