Më herët, IndeksOnline raportoi hyrjen në garë për zgjedhje, të analistit Bardhyl Hasanpapaj.

Ai do të garojë në zgjedhje përkrah Vjosa Osmanit dhe këtë gjë tashmë e ka konfirmuar edhe ish-presidentja.

“Me Dr.sc. Bardhyl Hasanpapajn, rrugëtimi ynë nuk filloi në politikë. Filloi në vitin 2001, si dy studentë të rinj që bartnim ëndrra të mëdha dhe përfaqësonim Universitetin e Prishtinës në garat më prestigjioze ndërkombëtare të drejtësisë” shkroi Osmani, në zyrtarizimin e bashkëpunimit me Hasanpapajn.

Ky është njoftimi i plotë i Osmanit:

Nga garat si studentë, në një garë të përbashkët e vendimtare për Kosovën!

Me Dr.sc. Bardhyl Hasanpapajn, rrugëtimi ynë nuk filloi në politikë. Filloi në vitin 2001, si dy studentë të rinj që bartnim ëndrra të mëdha dhe përfaqësonim Universitetin e Prishtinës në garat më prestigjioze ndërkombëtare të drejtësisë.

Bardhi, përveçse njihet si një zë i arsyeshëm i diskursit publik, ka specializuar në të Drejtën Europiane dhe Ndërkombëtare në Universitetin e Bremenit në Gjermani, ndërsa doktoraturën e ka përfunduar në Universitetin e Firenzes në Itali. Si ekspert i sundimit të ligjit, dijen profesionale e ka shndërruar edhe në ndërmarrësi, duke udhëhequr projekte të rëndësishme për organizata ndërkombëtare si BE, USAID, NDI, NCSC, IFC dhe EBRD.

Por përkundër të gjitha arritjeve, Bardhyli ka mbetur njeri i thjeshtë. Një mik i mirë. Një profesionist që nuk u largua kurrë nga dëshira për t’i dhënë Kosovës më shumë. E mbi të gjitha, një malsor që kurrë nuk e shkelë besën e dhënë.

Jam e lumtur që edhe sot kemi pranë njerëz si Bardhyl Hasanpapaj, që me dije, integritet dhe përkushtim i japin forcë vizionit tonë për të ardhmen.

Na priftë e mbara, Bardhyl!