Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar pas paraqitjes së disa individëve me flamurin e UÇK-së, në protestën në Shqipëri, të cilët pretenduan se përfaqësonin veteranët e luftës.

Përmes një reagimi publik, OVL-UÇK ka bërë të ditur se nuk ka asnjë lidhje me personat në fjalë dhe ka mohuar kategorikisht se u ka dhënë atyre mandat për të folur në emër të organizatës.

“Ky pretendim është i rremë. Nuk kemi dhënë asnjë mandat që dikush të flasë në emër tonë, pasi që ne e kemi përfaqësinë tonë në Tiranë”, thuhet në reagim.

OVL-UÇK ka vënë theksin edhe te përdorimi i simboleve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke kujtuar se ato përfaqësojnë sakrificën e luftës çlirimtare dhe nuk duhet të shfrytëzohen për qëllime politike apo agjenda të përditshme.

“Stema e UÇK-së nuk është dekor politik. Është simboli i një lufte të drejtë çlirimtare të paguar me gjak, i mbajtur nga gra e burra që dhanë gjithçka për lirinë dhe shtetësinë e Kosovës. Kudo që shfaqet, mbart peshën e asaj sakrifice dhe kjo peshë nuk mund të huazohet për agjendën ditore të dikujt”, thekson organizata.

Në fund, OVL-UÇK ka kërkuar që emri dhe simbolet e UÇK-së të trajtohen me integritet dhe respekt, duke apeluar që raste të tilla të mos përsëriten në të ardhmen.

“Qoftë hera e fundit që ato keqpërdoren”, përfundon reagimi i organizatës.