Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së) ka ripërsëritur thirrjen për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, duke theksuar se përgjegjësia kryesore bie mbi Serbinë, e cila mban arkivat thelbësore. Kjo kërkesë vjen në Ditën Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve me Forcë.

Përmes një deklarate të publikuar në rrjetin social Facebook, OVL e UÇK-së ka shprehur solidaritetin e plotë me familjet e të zhdukurve, duke theksuar se pritja e tyre për të vërtetën ka qenë e stërzgjatur dhe e papranueshme.

“Fati i të zhdukurve nuk duhet të mbahet kurrë peng i heshtjes, i llogaritjeve politike apo i shpërfilljes institucionale. Serbia mban arkivat dhe përgjigjet,” thuhet në deklaratë. Organizata i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare të detyrojë Serbinë të hapë këto arkiva dhe të japë llogari për të gjithë informacionin e munguar.

OVL e UÇK-së kërkon me ngulm të vërtetën, llogaridhënien dhe vendosjen e drejtësisë, duke garantuar se familjet e personave të zhdukur nuk do të mbeten kurrë vetëm në këtë kërkim të tyre.