Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Fatmir Sopi, pret një vendim lirues për ish-krerët e UÇK-së nga Gjykata Speciale në Hagë. Sipas Sopi-t, një vendim i tillë do t’i jepte dinjitet drejtësisë ndërkombëtare.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Sopi theksoi se vendimi duhet të mbështetet në provat e administruara në gjykatë dhe jo në dëshmi të sajuara, të dërguara nga Serbia. Ai shprehu shpresën se vendimi nuk do të jetë politik, megjithëse e ka quajtur gjykatën “politike” për shkak të formimit të saj. Sipas Sopi-t, UÇK-ja ka zhvilluar një luftë të drejtë dhe çlirimtare, pa kryer krime lufte, bazuar në provat e paraqitura.

Sopi kritikoi ashpër dëshmitë e paraqitura nga Serbia dhe shërbimet e saj sekrete, duke i cilësuar ato si dokumente të falsifikuara dhe të rregulluara sipas interesave të tyre, pasi Serbia ishte palë ndërluftuese. Ai i vuri përballë këtyre dëshmive ato të autoriteteve ndërkombëtare, si ato amerikane dhe angleze, të cilat, sipas tij, pasqyrojnë drejt bashkëpunimin dhe luftën e drejtë të UÇK-së në ndalimin e gjenocidit.

Ai theksoi se UÇK-ja doli në mbrojtje të popullatës civile nga masakrat dhe kërkoi që trupi gjykues të marrë një vendim të bazuar në prova të mirëfillta. Sopi shtoi se, kur ushtria dhe policia serbe pësonin humbje nga UÇK-ja, ato hakmerreshin ndaj civilëve të pambrojtur. Prandaj, ky trup gjykues është para një prove të madhe për të marrë një vendim të drejtë, bazuar në prova të sinqerta nga aktorët kryesorë ndërkombëtarë.

Lidhur me deklaratat e Serbisë për sigurinë e serbëve në Kosovë, Sopi i cilësoi ato si propagandë të qëllimshme. Ai kujtoi se presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka shërbyer si ministër propagande gjatë regjimit të Millosheviçit, në kohën kur po kryheshin masakrat në Kosovë, duke propaganduar kundër UÇK-së dhe popullit shqiptar.

Sopi hodhi poshtë pretendimet për rrezikimin e serbëve, duke theksuar se ata gëzojnë të drejta maksimale në Kosovë, të cilat shpesh janë garantuar pikërisht nga udhëheqësit e UÇK-së që gjenden në Hagë. Sipas tij, popullata serbe në Kosovë ka ndoshta ndër të drejtat më të avancuara në Ballkan, Evropë, madje edhe në botë. Këto deklarata, sipas Sopi-t, janë pjesë e një strategjie për dezinformim dhe destabilizim, të përgatitur pavarësisht nëse ish-krerët dënohen apo lirohen.

Ai përsëriti bindjen se trupi gjykues do të marrë një vendim lirues, sepse nuk ka baza për dënimin e ish-krerëve të UÇK-së, të cilët kanë zhvilluar një luftë të drejtë çlirimtare. Sopi theksoi se akuzat fillestare për trafikim organesh, mbi bazën e të cilave u themelua Gjykata Speciale, kanë rënë dhe janë zëvendësuar me pretendime të parëndësishme. Prandaj, ai pret një vendim të ndërgjegjshëm dhe meritor, bazuar në prova relevante dhe jo në ato të sajuara nga Serbia.