**Refuzohet kërkesa e deputetit Mustafa për diskutim mbi pagën e 13-të dhe çmimin e naftës në Komisionin e Buxhetit**
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa, ka kërkuar në Komisionin për Buxhet dhe Financa që në rendin e ditës të shtohen tri pika shtesë, duke përfshirë diskutimin për pagën e 13-të dhe çmimet e derivateve të naftës.
Megjithatë, kjo kërkesë u refuzua. Me tre vota ‘për’, asnjë ‘kundër’ dhe pesë ‘abstenime’, pikat e propozuara nuk u përfshinë në rendin e ditës.
Mustafa theksoi rëndësinë e këtyre temave, duke shfrytëzuar praninë e Ministrit të Financave, Hekuran Murati, në mbledhje. Ai argumentoi se diskutimi për çmimet e naftës dhe energjisë është urgjent, pasi ato ndikojnë direkt në rritjen e çmimeve të tjera dhe vështirësojnë standardin jetësor të qytetarëve të Kosovës. Deputeti kërkoi një raportim nga Ministri për masat e marra ose të planifikuara për të mbrojtur qytetarët.
Gjithashtu, Mustafa adresoi çështjen e pagave të 13-ta për punonjësit e Radio Televizionit të Kosovës (RTK) dhe ata të sektorit shëndetësor. Ai tha se ka informacione se këto paga nuk janë realizuar plotësisht ose aspak, duke kërkuar sqarime dhe plane veprimi nga Ministria e Financave për rregullimin e tyre.
Në anën tjetër, kryetari i Komisionit, Enver Haliti (Lëvizja Vetëvendosje), shpjegoi se praktika rreth mbledhjeve të jashtëzakonshme nuk lejon përfshirjen e pikave shtesë në rend dite. Ai theksoi se LDK-ja ka thirrur një seancë plenare për të premten, ku këto tema mund të diskutohen gjerësisht. Haliti sugjeroi se kjo seancë do të ofronte hapësirë të mjaftueshme për deputetët dhe partitë politike për të ngritur pyetje dhe për të marrë përgjigje jo vetëm nga Ministri i Financave, por edhe nga Kryeministri dhe dikasteret e tjera përkatëse.
