**Gjykata cakton paraburgim për pesë të arrestuarit për masakrën e Reçakut**
Gjykata Themelore në Prishtinë u ka caktuar masën e paraburgimit pesë personave të arrestuar të dielën, të dyshuar për pjesëmarrje në masakrën e Reçakut.
Pas seancës dëgjimore, gjyqtari i procedurës paraprake miratoi kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e paraburgimit. Kjo masë, me kohëzgjatje prej një muaji për secilin, u caktua ndaj të pandehurve N.P., S.J., B.P., S.M. dhe S.S.
Në njoftimin e saj, Gjykata Themelore e Prishtinës theksoi se caktimi i paraburgimit në këtë çështje penale është një masë e duhur. Sipas Gjykatës, ekziston një rrezik real që, nëse të pandehurit lihen në liri, ata mund të arratisen për t’iu shmangur përgjegjësisë penale. Duke marrë parasysh se të gjithë të pandehurit janë edhe shtetas të Serbisë, vlerësohet se ekziston rreziku i lartë që ata të largohen lehtësisht dhe të bëhen të paarritshëm për organet e drejtësisë, gjë që do të pamundësonte sigurimin e pranisë së tyre dhe do të pengonte rrjedhën normale të procedurës penale.
Po ashtu, Gjykata vlerësoi se lirimi i të pandehurve do të paraqiste rrezikun që ata të ndikonin te provat dhe dëshmitarët. Për këtë arsye, u konstatua se masa e paraburgimit, për momentin, është e vetmja masë për të siguruar një rrjedhë të papenguar të procedurës penale në këtë çështje.
