Arrest shtëpiak për dy zyrtare të MPB-së, paraburgim për shtetasin turk

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur të refuzojë kërkesën e Prokurorisë Themelore për paraburgim ndaj dy zyrtareve të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), Gylsen Jahiri dhe Fatma Shufta. Në vend të kësaj, gjykata u ka caktuar atyre masën e arrestit shtëpiak për një muaj. Ndërkohë, shtetasit turk Dervis Keleci i është caktuar masa e paraburgimit. Ky vendim i Gjykatës është siguruar nga “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktvendimit, Gylsen Jahiri, zyrtare për pranimin e kërkesave për lejeqëndrim në Drejtorinë për Shtetësi, Azil dhe Migrim të MPB-së, dhe Fatma Shufta, zyrtare e lartë për financa në MPB, dyshohen se kanë kryer vazhdimisht veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” në cilësinë e personave zyrtarë. Dervis Keleci, nga ana tjetër, dyshohet për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.

Gjykata ka vendosur që dy zyrtaret të qëndrojnë në arrest shtëpiak deri më 21 gusht 2026, si dhe u janë konfiskuar dokumentet e udhëtimit.

Prokuroria dyshon se veprat janë kryer në bashkërendim mes personave zyrtarë dhe një personi privat, me qëllim të përfitimit material. Në kërkesën për paraburgim, prokuroria thekson se gjatë hetimeve janë siguruar deklarata dëshmitarësh, raporte vëzhgimi, dokumente të sekuestruara dhe prova të mbledhura përmes masave të posaçme hetimore. Gjithashtu, janë sekuestruar telefonat celularë të të dyshuarve për ekzaminim forenzik, si dhe dokumente të tjera që do t’i nënshtrohen analizës gjatë hetimeve në vazhdim.

Fatma Shufta, sipas Prokurorisë, ka pranuar kryerjen e veprës penale, ndërsa Gylsen Jahiri dhe Dervis Keleci kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre për të heshtur.

Prokuroria kishte kërkuar paraburgim për të tre të dyshuarit, duke argumentuar se ekziston rreziku i arratisjes, i ndikimit te dëshmitarët dhe provat, si dhe rreziku i përsëritjes së veprës penale. Prokurori shtoi se, meqenëse hetimet janë në fazën fillestare, të dyshuarit, nëse mbrohen në liri, mund të ndikojnë te dëshmitarët, të bashkërendojnë deklaratat ose të pengojnë zhvillimin e mëtejshëm të procedurës penale.

Avokati Ilir Tahiri, mbrojtës i Gylsen Jahirit, e kundërshtoi kërkesën për paraburgim, duke theksuar se vetëm dyshimi i bazuar nuk mjafton për caktimin e masës më të rëndë. Ai argumentoi se Prokuroria nuk ka paraqitur fakte konkrete që e bëjnë të domosdoshëm paraburgimin. Tahiri tha se provat materiale janë tashmë në duart e organeve të hetimit dhe se klientja e tij nuk ka asnjë mundësi reale të ndikojë te dëshmitarët apo të ndryshojë provat, duke i cilësuar pretendimet e Prokurorisë si hipotetike.

Mbrojtësi i Jahirit sugjeroi arrestin shtëpiak në vend të paraburgimit, duke ofruar si garanci dorëzani prej 5,000 eurosh, dorëzimin e pasaportës dhe të gjitha dokumenteve të udhëtimit, si dhe zotimin se klientja e tij do t’u përgjigjet të gjitha thirrjeve të organeve të drejtësisë. Ai shtoi se një rrethanë e rëndësishme është edhe gjendja e rënduar shëndetësore e klientes së tij, për të cilën paraburgimi do të kishte ndikim të drejtpërdrejtë në përkeqësimin e saj. Tahiri u bazua edhe në parimin e proporcionalitetit, duke argumentuar se qëllimi i procedurës penale mund të arrihet me masa më të buta, dhe theksoi se Jahiri nuk ka pasur asnjëherë probleme me ligjin.

Gjykata nuk e pranoi kërkesën e Prokurorisë për paraburgim ndaj Jahirit dhe Shuftës, duke vlerësuar se, edhe pse ekziston dyshim i bazuar dhe rrezik potencial për ndikim në procedurë, masa e paraburgimit është tepër e rëndë dhe se qëllimi i sigurimit të pranisë së tyre dhe mbarëvajtjes së procedurës mund të arrihet edhe përmes arrestit shtëpiak.

Ndërsa, për Dervis Kelecin, Gjykata konstatoi se ekziston rrezik arratisjeje, ndikimi te dëshmitarët dhe përsëritje e veprës penale, duke vlerësuar se asnjë masë më e butë nuk do të ishte e mjaftueshme. Për këtë arsye, ndaj tij u caktua paraburgim në kohëzgjatje prej një muaji.