Pas një angazhimi të pandërprerë, ka përfunduar me sukses procesi i mbulimit të deponisë së qytetit të Pejës, me rreth 24,000 metra kub dhe.

Lajmin e ka bërë të ditur Kompania Rajonale e Mbeturinave “Ambienti”.

“Sot, deponia është në gjendje stabile, ndërsa zjarri dhe tymi janë eliminuar plotësisht. Njëkohësisht, janë zbatuar rekomandimet e Inspektoratit të MMPH-së për mbulimin me dhe, ndërsa, sipas rekomandimeve profesionale, është duke vazhduar edhe procesi i ajrosjes së zonës” thuhet në komunikatë.

Kryetari i Bordit të Drejtorëve, Gramoz Xhemajli, së bashku me kryeshefin ekzekutiv, Diedon Berisha, kanë përcjellë nga afër ecurinë e punimeve, duke udhëhequr dhe mbështetur vazhdimisht procesin deri në përmbylljen e tij.

KRM “Ambienti” deklaron se angazhimi, koordinimi dhe vendimmarrja e tyre kanë qenë vendimtare që situata të menaxhohet me efikasitet dhe të rikthehet stabiliteti në deponi.

“Fatkeqësisht, zjarrvëniet e qëllimshme gjatë stinës së verës, tash e shumë vite, kanë shkaktuar probleme të vazhdueshme në deponi, duke ndikuar negativisht edhe te banorët përreth. Për këtë arsye, mbetet e domosdoshme bashkëpunimi i të gjithëve për parandalimin e rasteve të tilla në të ardhmen” thuhet tutje në njoftim.

Me këtë rast, kompania ka shprehur mirënjohje për qytetarët për mirëkuptimin dhe durimin e treguar gjatë kësaj periudhe sfiduese.

Mes të tjerash, në njoftim thuhet:

Falënderojmë Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) për gatishmërinë dhe kontributin e jashtëzakonshëm në procesin e mbulimit me dhe deri në përfundimin e plotë të punimeve. Po ashtu, falënderojmë drejtorin e drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Luan Voci, po ashtu komandantin e zjarrfikësve, Butrint Lajqi.

Mirënjohje të veçantë shprehim edhe për Komunën e Pejës, e cila kontribuoi me 6,000 m³ dhe, si dhe për kompanitë vullnetare, Jos Krasniqi Baze Sh.P.K. dhe SIB Sh.P.K., të cilat dhanë një ndihmë të çmuar gjatë gjithë operacionit.

Falë këtij bashkëpunimi, angazhimit profesional dhe mbështetjes së të gjithë akterëve të përfshirë, situata në deponinë e qytetit të Pejës është rikthyer në normalitet.