PDK braktis seancën në Mitrovicë, Ibrahimi akuzon kryetarin Peci për gjuhë denigruese
Asamblistët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) janë larguar nga salla gjatë seancës së 13-të të rregullt të Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Jugut, në shenjë proteste ndaj, siç e cilësuan, gjuhës fyese dhe denigruese të kryetarit të komunës, Faton Peci.
Kryetari i grupit të asamblistëve të PDK-së, Shkëlqim Ibrahimi, theksoi se vendimi për të braktisur seancën erdhi pas deklaratave publike të Pecit dhe mënyrës sesi, sipas tij, kryetari po u drejtohet asamblistëve të opozitës.
Ibrahimi, duke iu referuar një segmenti në emisionin “Context”, ku Peci kishte folur për një fotografi të tijën, tha se në mandatin e kaluar, pavarësisht arrestimit të dy asamblistëve opozitarë, përfaqësuesit e PDK-së nuk kishin përdorur gjuhë fyese apo nuk kishin paragjykuar epilogun e rastit.
“Për një sekuencë në emisionin ‘Context’, që e ka pasur kryetari në lidhje me një foto timen dhe që e ka keqinterpretuar. Por fillimisht dua të flas për normën që ka qenë në mandatin e kaluar, domethënë komunikimin mes asamblistëve të opozitës, pozitës dhe ekzekutivit në raport me opozitën. Vetëm dua t’ia tregoj një fakt kryetarit: në mandatin e kaluar janë arrestuar dy asamblistë të opozitës në Kuvend, ndërsa ne kemi qenë 14 asamblistë. Ekzekutivit dhe kryetarit kurrë nuk ua kemi dhënë të drejtën të dalin publikisht për ta linçuar dikë, për ta etiketuar, për të përdorur gjuhë fyese apo për ta shfrytëzuar politikisht situatën e tyre, për shkak të identitetit njerëzor, respektimit të institucioneve të drejtësisë dhe, në veçanti, respektimit të prezumimit të pafajësisë. Po ashtu, kryetar, dua të ta rikujtoj se ka pasur lajme të ndryshme para fushatës lokale për ju…”, tha Ibrahimi.
Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, i mohoi akuzat e Ibrahimit, duke deklaruar se nuk ishte në dijeni për etiketime të tilla si ato të përmendura nga kryetari i grupit të asamblistëve të PDK-së.
“Me thënë të drejtën, kam filluar të mos habitem me asnjërin prej fenomeneve, as me mënyrën e diskursit dhe as me atë që po ndodh me politikën tonë të përditshme. E para, do të thotë, zoti Ibrahimi, krejt çka diskutoi janë të pavërteta. Unë nuk po e di as për çka po flet. Për këto epitete, ‘cuba’, janë krejt të panjohura për mua dhe nuk e di as çfarë ka thënë. Nuk e di dhe nuk kam dëgjuar, së paku në seanca e as në diskurs publik. Tash, pse dikush, një asamblist, qenka aq i prekur pse dikush prej administratorëve të mi në Facebook, që janë pesë, ia paska bërë bllok? Unë kam pasur vetëm një sugjerim për ta: ‘Ata që ofendojnë dhe shpifin’. Do të thotë, Facebook-u e ka paraparë që ka njerëz të tillë që abuzojnë me postimet në Facebook dhe pason një bllokim. As nuk e shikoj unë se cili është postimi i tij, as nuk e di kush e merr bllokim nga Facebook-u im, për shkak se nganjëherë e përdori edhe unë, por janë edhe pesë të tjerë që janë administratorë të faqes sime. Tjetra, në rast se dikush në Kosovë, në këto pesë vite, nuk mund t’i bëjë konkurrencë vetëm Albin Kurtit për sa i përket linçimit, fyerjeve dhe shpifjeve, jam unë. Edhe gjatë fushatës për të cilën foli ky zotëri, nuk kanë pasur vetëm lajme, por ka pasur linçime, shpifje dhe gënjeshtra rreth meje”, tha Peci.
Ndërkaq, nënkryetari i komunës, Enis Osmani, sugjeroi se largimi i asamblistëve të PDK-së ishte i lidhur me përpjekjet për rrëzimin e kryesuesit të Kuvendit dhe përfshirjen e aktorëve politikë.
