FC Prishtina e Re shpreh zyrtarisht pakënaqësinë për arbitrimin në ndeshjet e k këtij edicioni, duke akuzuar për vendime të padrejta që, sipas klubit, kanë ndikuar drejtpërdrejt në rezultatet. Klubi thekson se loja e bukur dhe futbolli i luftuar nuk duhet të dëmtohen nga vendime që ndryshojnë fatin e ndeshjes.
Nëpërmjet një komunikate publike, “Prishtina e Re” bën të ditur se, megjithëse gabimet janë pjesë e lojës dhe më herët kanë zgjedhur të mos reagojnë, deri më tani janë dëmtuar qartë në tri ndeshje të këtij kampionati.
Klubi rendit konkretisht rastet që i konsideron të padrejta:
1. Në përballjen ndaj KF Drenica (xh. 3), ku u anulua një gol i rregullt për një faull të paqenë.
2. Në ndeshjen kundër KF Ferizaj (xh. 20), ku u anulua një tjetër gol për një pozicion jashtë loje të diskutueshëm.
3. Në duelin e fundit ndaj FC Ballkani, ku nuk u akordua penallti pas ndërhyrjes ndaj lojtarit Rudaj në minutën e 70-të.
Sipas “Prishtinës së Re”, rasti i fundit është i qartë edhe nga pamjet televizive, duke e cilësuar ndërhyrjen si “penallti klasike”, ndërsa vendimi i gjyqtarit për të vazhduar lojën është konsideruar i pakuptimtë.
“Është e vërtetë se jemi në pozitë të vështirë, por gara për mbijetesë mbetet e hapur. Nuk kërkojmë favore, por kur kemi të drejtë, mos na dëmtoni. Nuk ua kemi borxh,” theksohet në reagimin e klubit.
“Prishtina e Re” kërkon më shumë përgjegjësi dhe profesionalizëm nga gjyqtarët, duke theksuar se vendimet duhet të jenë të drejta pavarësisht pozicionit të ekipeve në tabelë. Klubi nënvizon se ky është reagimi i parë publik dhe kërkon që referimi të jetë i drejtë dhe i barabartë për të gjithë, në mënyrë që rezultati të vendoset vetëm në fushë dhe mbi bazën e meritës.
