KRU “Prishtina” zbulon gjashtë lidhje të paligjshme uji në Hajvali brenda dy orëve

Brenda vetëm dy orëve, ekipet e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” (KRU “Prishtina”) kanë zbuluar gjashtë lidhje të paligjshme me rrjetin e ujësjellësit në fshatin Hajvali.

Sipas njoftimit zyrtar, të gjitha lidhjet e identifikuara janë shkëputur menjëherë, ndërsa rastet po përgatiten për t’u proceduar në Prokurori për hapa të mëtejshëm ligjorë.

KRU “Prishtina” thekson se lidhjet e paligjshme përbëjnë vjedhje të ujit dhe dëmtojnë funksionimin e sistemit të furnizimit. Këto lidhje, sipas kompanisë, ndikojnë në uljen e presionit të ujit dhe rrezikojnë furnizimin e rregullt për qytetarët që respektojnë rregullat dhe kryejnë pagesat rregullisht.

Kompania paralajmëron se kontrollet në terren do të vazhdojnë pandërprerë, duke nënvizuar se çdo lidhje e paligjshme do të zbulohet, do të shkëputet dhe do të trajtohet në përputhje me procedurat ligjore në fuqi.