Presidenti amerikan Donald Trump përfundoi një takim me këshilltarët e tij të ngushtë mbi marrëveshjen bërthamore me Iranin, por pa marrë ende një vendim përfundimtar. Këtë e raportoi The New York Times.
Takimi dy-orësh u zhvillua në Sallën e Situatave të Shtëpisë së Bardhë. Sipas një zyrtari të lartë të administratës amerikane, i cili foli në kushte anonimiteti, nuk është arritur ende një vendim për një marrëveshje të re me Iranin.
“Administrata beson se është afër një marrëveshjeje, por mbeten ende disa çështje në diskutim, përfshirë ngrirjen e aseteve iraniane,” tha zyrtari për NYT.
Më herët, Trump kishte njoftuar se do të takohej me këshilltarët e tij në Shtëpinë e Bardhë “për të marrë vendimin përfundimtar” mbi një marrëveshje të mundshme bërthamore me Iranin.
Në një postim në rrjetet sociale, presidenti amerikan përsëriti se marrëveshja duhet të përfshijë hapjen e Ngushticës së Hormuzit për lundrim, zotimin e Iranit për të mos zhvilluar armë bërthamore dhe dorëzimin SHBA-së të uraniumit të pasuruar.
Ndërkohë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei, deklaroi në një intervistë për mediat shtetërore se negociatat aktuale janë të kufizuara dhe nuk përfshijnë “çështjen bërthamore”.
