Protesta në Korçë përfundon pas 5 orësh: Tensione, përplasje dhe mbi 20 të shoqëruar

Protesta që zgjati rreth pesë orë në qytetin e Korçës ka përfunduar, pas një zhvillimi plot tensione dhe përplasjeje. Tubimi shënoi një pjesëmarrje masive, duke përfshirë jo vetëm gjimnazistë, por edhe nxënës të shkollave 9-vjeçare.

Disa akse rrugore të qytetit u bllokuan gjatë demonstratës, duke shkaktuar vështirësi në qarkullimin e automjeteve. Kjo situatë çoi në përshkallëzim dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit.

Si pasojë e incidenteve, u raportuan dëme materiale në ambientet e gjimnazit “Raqi Qirinxhi”, Drejtorisë Arsimore dhe Bashkisë së Korçës.

Përplasjet rezultuan gjithashtu me persona të lënduar nga të dyja palët, përfshirë efektivë policie dhe protestues.

Aktualisht, mbi 20 të rinj janë shoqëruar në ambientet e komisariatit, ndërsa autoritetet presin të zbardhin rrethanat e plota të incidenteve të regjistruara gjatë tubimit.