Një përleshje e dhunshme ka shpërthyer mes të burgosurve shqiptarë dhe algjerianë në burgun e Domokosit, në prefekturën e Ftiotidës, në Greqinë Qendrore.
Si pasojë e këtij incidenti, gjashtë persona janë plagosur, ndërsa njëri prej tyre ndodhet në gjendje të rëndë.
Mediat greke raportojnë se ngjarja ndodhi pasditen e djeshme, por arsyeja e saj mbetet ende e panjohur.
Gjashtë personat e plagosur, të moshës nga 26 deri në 41 vjeç, u dërguan fillimisht në Qendrën Shëndetësore të Domokosit. Më pas, katër prej tyre u transferuan në Spitalin e Lamias, në qendër të prefekturës.
Një prej të burgosurve, i cili kishte pësuar plagë të rënda në kokë, iu nënshtrua menjëherë një operacioni. Gjendja e tij shëndetësore mbetet e rëndë. Një tjetër i burgosur, i plagosur me një thikë të improvizuar, ka shpëtuar nga rreziku për jetën pas ndërhyrjes mjekësore.
Ky është incidenti i tretë i ngjashëm i shënuar në të njëjtin burg gjatë muajit e gjysmë të fundit.
