**Përplasje në Tiranë gjatë protestës kundër projektit turistik në Zvërnec**

Protesta e organizuar në kryeqytet, kundër projektit turistik të planifikuar në Zvërnec, është shoqëruar me tensione dhe përplasje fizike mes qytetarëve dhe forcave të rendit.

Gjatë marshimit, protestuesit u përpoqën të kalonin kordonin e vendosur nga policia, duke shkaktuar çaste tensioni në qendër të Tiranës. Pamjet e publikuara nga ngjarja dëshmojnë se një pjesë e protestuesve arritën të thyenin kordonin policor, ndërsa efektivët ndërhynë menjëherë për të rivendosur rregullin.

Protesta u thirr nga aktivistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët kundërshtojnë ndërtimin e një resorti turistik në Zvërnec dhe kërkojnë ndalimin e menjëhershëm të projektit. Ky tubim vjen pas tensioneve të shkaktuara ditët e fundit në lidhje me zhvillimet në zonën bregdetare të Vlorës.

Pavarësisht incidenteve, protestuesit vijuan marshimin e tyre me thirrje të forta kundër projektit, ndërsa policia shtoi masat e sigurisë për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.

Pamjet nga protesta po qarkullojnë gjerësisht në rrjetet sociale dhe mediat, duke dokumentuar qartë momentin kur kordoni i policisë u ça nga turma e protestuesve.