Sot, në Ditën Botërore të Ndërgjegjësimit për Brakiterapinë, theksohet rëndësia e kësaj metode moderne dhe shumë precize të radioterapisë në trajtimin e kancerit.
Shërbimi i Brakiterapisë në Klinikën e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka nisur të ofrohet pesë vjet më parë dhe, gjatë kësaj periudhe, është zhvilluar vazhdimisht, duke përfshirë edhe ofrimin e brakiterapisë intersticiale.
Para funksionalizimit të këtij shërbimi në vend, pacientët që kishin nevojë për brakiterapi referoheshin për trajtim jashtë Kosovës, gjë që krijonte kosto të konsiderueshme financiare për sistemin shëndetësor.
Aktualisht, brakiterapia ofrohet çdo ditë pune në Klinikën e Onkologjisë, duke mundësuar trajtim më të shpejtë, më cilësor dhe më të qasshëm për pacientët.
Me rastin e Ditës Botërore të Ndërgjegjësimit për Brakiterapinë, Klinika e Onkologjisë shpreh mirënjohje për stafin mjekësor dhe profesionistët shëndetësorë për profesionalizmin, përkushtimin dhe kujdesin e vazhdueshëm në ofrimin e shërbimeve për pacientët me sëmundje malinje.
