Eurodeputeti dhe i dërguari i Parlamentit Evropian për Serbinë, Tonino Picula, ka kritikuar ashpër glorifikimin e ish-komandantit të Ushtrisë së Republikës Serbe (Republika Srpska), Ratko Mladiq. Ai theksoi se ky veprim është i papajtueshëm me vlerat evropiane dhe përbën një kërcënim për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, duke përmendur gjithashtu edhe Kosovën.
Në një intervistë për gazetën malazeze “Pobjeda”, Picula deklaroi se Mladiq ka vdekur duke vuajtur dënimin e përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Ai theksoi se ky është një “fakt juridik dhe moral” që nuk duhet të kontestohet apo rishkruhet.
Sipas Picula-s, zhvillimet në Serbi dhe në Republikën Serbe (Republika Srpska) pas vdekjes së Mladiqit tregojnë se transformimi i brendshëm i domosdoshëm nuk është realizuar që nga përfundimi i luftërave të viteve ’90.
“Glorifikimi i Mladiqit nuk është vetëm çështje morale. Është edhe një kërcënim i maskuar dobët për stabilitetin e rajonit dhe një sinjal i qartë se ku qëndron në të vërtetë udhëheqja serbe përballë vlerave evropiane”, tha Picula.
Ai kritikoi gjithashtu qëndrimin e autoriteteve në Beograd, duke theksuar se sulmet ndaj vendimit të Tribunalit të Hagës dëshmojnë se regjimi serb vazhdon ta trajtojë Mladiqin si “hero të pafajshëm” dhe jo si kriminel lufte.
Picula paralajmëroi se reagimi i Brukselit ndaj përfshirjes së autoriteteve serbe në ceremonitë përkujtimore të Mladiqit duhet të jetë adekuat. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në një kohë kur politika e zgjerimit të BE-së pritet të jetë më e rreptë ndaj vendeve kandidate që shpërfillin vlerat themelore të Unionit.
Në intervistë, Picula theksoi se pasojat e glorifikimit të Mladiqit nuk kufizohen vetëm te Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, por prekin edhe marrëdhëniet në të gjithë Ballkanin Perëndimor.
Ai përmendi drejtpërdrejt edhe Kosovën, duke thënë se rajoni ende nuk i ka kapërcyer të gjitha pasojat e veprimeve serbe të viteve ’90 ndaj Kroacisë, Bosnjës e Hercegovinës dhe Kosovës.
Sipas tij, zhvillimet rreth glorifikimit të figurës së Mladiqit mund të kenë pasoja negative në marrëdhëniet rajonale dhe në procesin e pajtimit.
Picula shtoi gjithashtu se ideologjia e të ashtuquajturës “Botë Serbe” është plotësisht e papajtueshme me vlerat e integrimit evropian.
“Promovimi i një politike të tillë dhe glorifikimi i kriminelëve që ishin zbatuesit e saj në terren është destruktiv”, deklaroi ai.
Ai shtoi se shumica e qytetarëve në Mal të Zi, sipas bindjes së tij, nuk e mbështesin këtë politikë dhe janë të vetëdijshëm për pasojat e saj.
