Kalimi nga injeksionet për humbje peshe te forma e tyre në pilulë mund t’i ndihmojë pacientët të vazhdojnë rënien në peshë, sugjerojnë të dhënat e reja.
Studiuesit kanë zbuluar se të rriturit me obezitet që kaluan nga injeksionet për dobësim te pilula e përditshme Wegovy vazhduan të humbnin peshë, duke rënë mesatarisht mbi 3 kilogramë brenda vetëm tre muajsh.
Trajtimi është ndër pilulat e para të këtij lloji të miratuara në Britani dhe ekspertët besojnë se mund të jetë më praktik për disa pacientë, pasi shmang nevojën për injeksione të rregullta.
Shkencëtarët nga Cornell University raportuan se mbi 40 për qind e personave që kaluan te pilula humbën të paktën edhe 5 për qind të peshës trupore gjatë një periudhe 12-javore.
Rezultatet sugjerojnë se kalimi te forma orale mund të ndihmojë në ruajtjen e ritmit të humbjes së peshës pasi efekti fillestar i injeksioneve nis të ngadalësohet.
Në përgjithësi, rënia në peshë me injeksionet është më e shpejtë gjatë muajve të parë të trajtimit, ku pacientët mund të humbin rreth 6 për qind të peshës trupore në tre muajt e parë.
Më pas ritmi zakonisht ngadalësohet dhe shumë pacientë arrijnë një fazë ku pesha stabilizohet pas gjashtë deri në 12 muaj trajtim.
Megjithatë, rezultatet fillestare të provave klinike me pilulën kanë treguar se përdoruesit mund të humbin mesatarisht rreth 17 për qind të peshës trupore pas pak më shumë se një viti përdorimi.
Për krahasim, përdoruesit e injeksionit Wegovy kanë humbur mesatarisht rreth 15 për qind të peshës trupore në studime të ngjashme.
Të dhënat më të fundit vijnë nga studimi vëzhgues OCTANE, i cili analizoi 194 të rritur mbipeshë ose me obezitet që kaluan nga barna injektuese te pilula e përditshme Wegovy.
Studimi është ndër të parët që analizon se si reagojnë ndaj formës orale pacientët që më parë kanë përdorur barna të njohura për dobësim të grupit GLP-1.
Pas kalimit te pilula, pothuajse një e katërta e pjesëmarrësve nuk klasifikoheshin më si obezë pas tre muajsh.
Përqindja e pjesëmarrësve të klasifikuar si obezë ra nga 87 në 66 për qind, ndërsa pothuajse gjysma humbën të paktën 5 për qind të peshës trupore.
Studimi tregoi gjithashtu se 87 për qind e pjesëmarrësve e merrnin ilaçin çdo ditë sipas udhëzimeve.
Studime të tjera sugjerojnë se pothuajse dy të tretat e pacientëve i ndërpresin injeksionet brenda një viti, ndër të tjera për shkak të efekteve anësore si të përzierat, të vjellat dhe diarrea.
Dr. Louis Aronne, bashkautor i studimit, tha se në praktikën e përditshme klinike ka pacientë që reagojnë mirë ndaj injeksioneve, por që për arsye personale ose praktike preferojnë një alternativë orale.
“Rezultatet tona sugjerojnë se kalimi te një ilaç oral mund të jetë një mundësi e vlefshme për pacientin e duhur”, tha ai gjatë takimit vjetor të European Association for the Study of Diabetes në Milano.
Edhe përfaqësuesit e kompanisë Novo, prodhuese e Wegovy, i përshkruan rezultatet si inkurajuese.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se nevojiten të dhëna të tjera për të përcaktuar nëse pilula mund të ofrojë humbje peshe më të qëndrueshme sesa injeksionet.
Pilula përmban semaglutide, të njëjtin përbërës aktiv që gjendet edhe te Wegovy dhe Ozempic.
Semaglutide imiton veprimin e hormonit GLP-1 në organizëm, i cili ndihmon në rritjen e ndjenjës së ngopjes dhe reduktimin e oreksit.
Në Britani, pilula Wegovy është licencuar për të rriturit me obezitet që kanë indeks të masës trupore, BMI, prej 30 ose më shumë, si dhe për disa pacientë me BMI nga 27 deri në 30 që kanë të paktën një problem shëndetësor të lidhur me peshën.
Interesi për formën orale pritet të jetë i madh, pasi sondazhet sugjerojnë se shumë më tepër pacientë do të preferonin një tabletë për humbje peshe sesa injeksione.
Pilula duhet të merret me pak ujë, me stomakun bosh, pas të paktën tetë orësh pa ngrënë. Pas marrjes së saj, përdoruesit duhet të presin të paktën edhe 30 minuta përpara se të hanë ose të pinë.
Dhjetëra mijëra persona në Britani mendohet se kanë kaluar tashmë te pilula që kur ajo u bë e disponueshme privatisht në korrik të vitit 2026.
Ndryshe nga versioni me injeksion, ajo ende nuk ofrohet me recetë nga NHS.
Kompania Novo pritet të zhvillojë diskutime me qeverinë britanike për përfshirjen e saj në sistemin publik shëndetësor, ndërsa kostoja mendohet të jetë një nga çështjet kryesore që duhet zgjidhur. /GazetaExpress/
