**Pjesëtarë të FSK-së përfundojnë me sukses trajnimin e zhytjes në Shqipëri**

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka njoftuar se pjesëtarë të saj kanë përfunduar me sukses trajnimin e specializuar “Zhytje Rifreskuese” në Republikën e Shqipërisë. Ky trajnim, i realizuar nga Qendra Ndërkombëtare e Trajnimeve për Kërkim-Shpëtim e Gardës Kombëtare të FSK-së, u zhvillua në Qendrën Kombëtare të Polumbarëve të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, në Pashaliman të Vlorës. Aktivitetet janë pjesë e bashkëpunimit ndërmjet dy forcave.

Qëllimi i trajnimit ishte rifreskimi dhe thellimi i njohurive profesionale në fushën e zhytjes. Fokusi u vendos në teknikat moderne të zhytjes, sigurinë nënujore, planifikimin dhe ekzekutimin e operacioneve të zhytjes, kontrollin e lundrueshmërisë, sistemin e zhytjes në dyshe (buddy system), si dhe në zhvillimin e aftësive për mësimdhënie dhe demonstrim praktik.

“Përmes këtij programi, pjesëtarët e FSK-së kanë forcuar kapacitetet profesionale për realizimin e misioneve të kërkim-shpëtimit dhe operacioneve të specializuara nënujore,” thuhet në njoftimin e FSK-së.