“Po bie drejt Tokës”, NASA nis misionin për shpëtimin e teleskopit hapësinor Swift

NASA ka nisur një mision të rëndësishëm dhe të pazakontë për të shpëtuar teleskopin hapësinor Swift, i cili rrezikon të dalë nga orbita dhe të rihyjë në atmosferën e Tokës.

Ky është operacioni i parë i këtij lloji: një anije kozmike robotike do të tentojë të kapë një teleskop në hapësirë dhe ta ngrejë atë në një orbitë më të sigurt.

Misioni po kryhet nga anija kozmike LINK, zhvilluar nga kompania “Katalyst Space Technologies”. E pajisur me tre krahë robotikë, kamera dhe sisteme navigimi, LINK do t’i afrohet Swift-it, do ta kapë dhe më pas do ta ngrejë gradualisht nga lartësia aktuale prej rreth 360 kilometrash në rreth 600 kilometra, ku teleskopi operonte fillimisht.

Shkencëtarët e vlerësojnë këtë mision si tepër të rrezikshëm, pasi një operacion i tillë nuk është ndërmarrë kurrë më parë. Sipas Dr. Simeon Barber, studiues në Universitetin e Hapur, Swift është një observator unik që u jep mundësi astronomëve të studiojnë shpërthimet e rrezeve gama dhe dukuri të tjera me energji jashtëzakonisht të lartë, të cilat nuk mund të vëzhgohen me instrumente të tjera.

Teleskopi Swift u lëshua në vitin 2004 me qëllim studimin e shpërthimeve më të fuqishme në Univers, të shkaktuara nga vdekja e yjeve gjigantë ose përplasja e objekteve të dendura kozmike. Gjatë dy dekadave të fundit, ai ka dhënë kontribute thelbësore në astronomi, duke zbuluar ngjarje që zgjasin vetëm pak sekonda, por çlirojnë energji të barabartë me atë që Dielli prodhon gjatë gjithë ekzistencës së tij.

Rënia graduale e Swift është shkaktuar nga rritja e aktivitetit diellor, e cila ka zgjeruar atmosferën e Tokës dhe ka shtuar fërkimin ndaj lëvizjes së teleskopit. Si pasojë, orbita e tij ka zbritur nga 600 në rreth 360 kilometra, kryesisht gjatë dy viteve të fundit. Ekspertët paralajmërojnë se nëse teleskopi zbret nën 300 kilometra, shpëtimi i tij nuk do të jetë më i mundur.

Gjatë javëve të ardhshme, anija LINK do të testojë të gjitha sistemet e saj përpara se t’i afrohet Swift-it. Pasi të jetë pranë teleskopit, roboti do ta fotografojë atë nga kënde të ndryshme për të përcaktuar pikën më të sigurt të kapjes, pasi observatori nuk ishte projektuar për operacione të tilla shpëtimi.