Vepra poetike me titull „Старата гара“ (“Stacioni i vjetër”) është botuar në gjuhë bullgare, nga Universiteti i Sofjes “Shën Klementi i Ohrit”, përkthyer në mënyrë mjeshtërore nga Rusana Beyleri. Kjo vepër ka tri cikle poetike, të titulluara: “Shtëpia”, “Stacioni i vjetër” dhe “Arkivi”, ndërsa hapet me poezinë “Ploja”, një tregim poetik për humbjet dhe shkatërrimet e luftës, atmosferë e rëndë poetike që e shoqëron gjithë veprën. Me anën e këtij libri poetik, Shala hap për lexuesin bullgar përvojën dhe pasojat e tmerrshme të luftës së Kosovës, si një dëshmi poetike e rëndë poetike që, përpos shqiptarëve, duhet ta njohin edhe të tjerët.
Sipas përkthyeses së kësaj vepre në gjuhën bullgare, prof. Rusana Beyleri, gjuha poetike e Kujtim M. Shalës është e kristaltë, pa retorikë të tepërt; përsëritjet, grumbullimet dhe kontrastet e vazhdueshme krijojnë një ritëm të veçantë, që të kujton rrjedhën tregimtare të një legjendë familjare ose të një epike të lashtë. Teknika poetike e Kujtim M. Shalës meriton vëmendje të veçantë: autori qëllimisht shmang pikësimin tradicional; frazat rrjedhin njëra pas tjetrës dhe pauzat sintaksore rrallë përkojnë me fundin e një rreshti; një frazë shpesh ndërpritet në mes të rreshtit dhe vazhdon në rreshtin tjetër, duke e bërë enjambmanin një parim themelor kompozicional. Vargu i tillë refuzon të jetë një njësi e mbyllur në vetvete dhe fillon të ngjajë me frymëmarrjen njerëzore, të ndërprerë nga frika, vajtimi ose kujtesa. Mungesa e shenjave të pikësimit i çliron fjalët nga rendi sintaksor i rreptë dhe lejon që kuptimi të shpaloset gradualisht, ashtu si kujtesa, e cila kurrë nuk e rindërton të kaluarën në mënyrë të plotë dhe të rregullt. I takon lexuesit të zbulojë vendet ku ndodhin pauzat, të rindërtojë intonacionin dhe të marrë pjesë në ndërtimin e kuptimit. Në këtë mënyrë, forma bëhet ekuivalenti artistik i ndërgjegjes së copëtuar pas luftës – e copëtuar, e trazuar dhe që vazhdimisht kthehet te trauma e përjetuar.
Në këtë vepër poetike, mungesa e rregullave është një teknikë moderniste me një funksion të thellë semantik dhe lidhte drejtpërdrejt me temën e luftës: ashtu si lufta shkatërron shtëpitë, po ashtu vargu thyen trajtën tradicionale; ashtu si jeta ndërpritet dhunshëm, po ashtu fraza ndërpritet në mes të rreshtit. Shfaqet një paralelizëm i veçantë: një shtëpi e shkatërruar – një varg i shkatërruar; një jetë njerëzore e ndërprerë – një njësi sintaksore e ndërprerë; një kujtesë e shpërndarë – një frazë e shpërndarë; mungesa e sigurisë në jetë – mungesa e shenjave të pikësimit të besueshme në tekst. Kjo është një nga teknikat artistike më origjinale, që tregon se, për Kujtim M. Shala, forma dhe përmbajtja janë të pandashme: vetë mënyra se si janë shkruar poezitë krijon një mozaik imazhesh të ngrira, të gjitha të paraqitura përmes syve të poetit. Edhe përkthimi bullgar e ruan besnikërisht këtë stil poetik të veçantë, duke u ruajtur thjeshtësia e shprehjes, e cila, në fakt, fsheh një fuqi artistike mbresëlënëse.
“Stacioni i vjetër” është një vepër poetike për luftën, por edhe më shumë se kaq, është një vepër për njerëzoren, që i lejon lexuesit bullgar të ndiejnë si tragjedinë e Kosovës, ashtu edhe mesazhin qendror të librit: një shtëpi mund të shkatërrohet, edhe një jetë, por kujtesa mund të ruhet, nëse jeton në gjuhë dhe në poezi, përfundon Beyleri.
Vepra poetike “Stacioni i vjetër” ka 87 faqe dhe, po ashtu, mund të gjendet online, në formatin PDF, edhe në faqen e Bibliotekës Kombëtare të Bullgarisë.
Në vazhdim, po sjellim poezinë “Ploja” të Shalës, në gjuhë shqipe dhe në atë bullgare, sipas përkthimit të Rusana Beyleri-t.
PLOJA
Në ditën e parë të prillit kur po zhbëhej errësira
mjegull e zezë e hollë si napat e zakonshme
ikte ngadalë fushës së gjerë
të gjithë po flinin fshati ishte mbuluar nga bora
një trill i vjetër sa tregimet më të vjetra
i marsit me shkurtin
ditët që marsi i zemëruar mori hua
si paratë e pista dhe ngriu plakat kokëforta
ato ditë tani i kishte prilli i vënë në zonën e pranverës
përherë shoqëruar nga erërat e fundit të dimrit
u afruan ngadalë hije të mërishme
kishin maska i kishin grabitur nga dramat e lashta
çdo gjë që bënin ishte e vërtetë
përpos maskave
armë zjarri të gjata thika me tehe sharre
nuk trokitën shkallmuan dyert bërë me dërrasa
të lyera sa për të mos u dukur druri
bojë e trashë mbi natyrën e përpunuar ashpër
dhomat i mbushën me gaz
qëlluan pa shikuar fare
breshëri të gjata armësh
klithma tmerri pastaj qetësi e përjetshme
jashtë së cilës krismat vazhdonin
trupat e burrave i gjymtuan
fëmijëve ua prenë duart degë të njoma pa gjethe
gratë i shikonin me lakminë e kafshës
që nuk e dallon trupin nga kërma
askush nuk i pa
në mbrëmje ikën
ngelën vetëm qentë pa zot
një hap bënin dhe largoheshin të frikësuar
derisa u afrua njeriu i parë
gjeti disa maska hedhur në dheun e lagur
iu duken si maskat në librat e ilustruar të teatrit të vjetër
plojë mbi trupat përzier me gjymtyrët e prera
të fëmijëve që kishin parë yjtë e bardhë
i vranë në shtegun më të ngushtë të Gjithësisë
djajtë me maska kafshësh
КРЪВОПРОЛИТИЕ
През първия ден на април се разсейваше тъмнината
непрогледна и тънка като пелена
бавно се оттегляше от огромното поле
всички спяха в селото покрито от снега
първичен колкото старинните разкази порив
на март обратно към февруари
дни които гневната Марта взе назаем
като мръсни пари и вкочани твърдоглавите старици
тези дни сега април беше прехвърлил на пролетта
постоянно акомпаниран от последните зимни ветрове
бавно се приближаваха яростни сенки
с маски откраднати от древните драми
всичките им дела бяха реални
освен маските
дълги пушки с остри щикове
не чукаха а ритаха дървените порти
боядисани колкото да се скрие дървото
гъста боя върху грубо издяланата природа
напълниха стаите с газ
и стреляха без да погледнат
дълги огнестрелни откоси
ужасени писъци последвани от вечна тишина
извън която още се гърмеше
обезобразиха мъжките трупове
отрязаха ръцете на децата обезлистени клончета
зяпаха жените с животинска похот
която не различава тяло от мърша
никой не ги видязаминаха вечерта
останаха само бездомните кучетата
пристъпваха плахо и уплашено се отдръпваха
докато се приближи първият човек
намери разхвърляни на овлажнената земя маски
заприличаха му на рисуваните маски от стария театър
изклани тела и отсечени крайници
на децата въздишащи по бялата звезда
убиха ги в най-тясната пътека на Вселената
дяволите с животински маски

