Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka lëshuar këtë të enjte një ftesë për paraqitje të kompozitorit Adrian Hila, me qëllim marrjen e tij në pyetje në lidhje me videot me përmbajtje intime që qarkulluan në rrjetet sociale një ditë më parë.

Si pjesë e veprimeve hetimore, forcat e policisë kanë shkuar edhe në banesën e kompozitorit për ta kontaktuar, por nuk e kanë gjetur aty.

Sipas informacioneve të siguruara nga Top Channel, policia ka arritur të kontaktojë Hila-n në telefon. Kompozitori është shprehur thellësisht i tronditur dhe i shokuar nga ngjarja, duke theksuar se është viktimë e një sulmi kibernetik (hakimi). Ai ka konfirmuar se do të paraqitet në polici sapo të mbërrijë në Tiranë.

Ndërkohë, Sektori i Krimit Kibernetik ka kryer verifikime që një ditë më parë, lidhur me përmbajtjen dhe burimin e materialeve të shpërndara në internet.