Policia publikon video nga ndërhyrja në Parkun Nacional “Sharri”; të dyshuarit penguan zyrtarët në detyrë

Dje rreth orës 18:30, zyrtarë policorë dhe zyrtarë pyjorë, gjatë patrullimit në terren në Parkun Nacional “Sharri”, kanë hasur në një mjet që transportonte dru (një xhip i modifikuar) me tre persona.

Pas ndalimit të mjetit, dy prej personave kanë penguar vazhdimisht zyrtarët policorë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

Lidhur me këtë rast, njësia hetimore e stacionit policor ka kontaktuar prokurorin e shtetit, i cili ka urdhëruar hapjen e procedurës penale për dy personat e dyshuar, I.D. dhe F.D., për veprën penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”.

Ndërsa për shoferin e mjetit, i cili kishte tentuar t’i shmangej policisë, është urdhëruar fillimi i një hetimi zyrtar. Ky hetim do të kryhet nga njësia hetimore e stacionit në bashkëpunim me zyrtarët e Parkut Nacional “Sharri”, me qëllim identifikimin e vendit të prerjes së druve.

Po ashtu, ndaj shoferit është shqiptuar gjobë për mosrespektim të urdhrave të zyrtarit policor.

Personat e dyshuar janë liruar në procedurë të rregullt ligjore.