Policia e Prishtinës zbaton 195 urdhëresa gjykate, arreston shkelës dhe sekuestron 6 armë

**Prishtinë** – Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë javës së kaluar, në rajonin e Prishtinës, zyrtarët policorë kanë zbatuar 195 urdhëresa të gjykatës. Këto operacione, të realizuara në lokacione dhe aksione të ndryshme, rezultuan me dërgimin e disa personave në burg dhe sekuestrimin e gjashtë armëve të zjarrit.

Nga numri i përgjithshëm i urdhëresave, 46 prej tyre lidheshin me vepra penale, ndërsa pjesa tjetër me kundërvajtje, seanca gjyqësore dhe verifikime të ndryshme.

Pas përfundimit të procedurave policore, personat e dënuar me burgim u dërguan për vuajtjen e dënimit. Ndërkaq, ata të dënuar me gjobë u liruan pasi kishin kryer pagesat e caktuara në urdhëresa.

Në të njëjtën periudhë kohore, aktivitetet policore çuan në sekuestrimin e gjashtë armëve të zjarrit, të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, si dhe municioneve korresponduese.

Përveç këtyre, zyrtarët policorë janë angazhuar edhe në sigurinë e trafikut rrugor. Këto kontrolle rezultuan me shqiptimin e 4366 masave administrative me gjobë për shkelje të ndryshme të kodit rrugor. Prej tyre, 620 gjoba u evidentuan nga veturat inteligjente dhe ato me radar mobil.