**Policia sekuestron arsenal armësh në Zubin Potok, asnjë i arrestuar**

Falë informacioneve të ofruara nga qytetarët, Policia e Kosovës ka realizuar sot një tjetër operacion të suksesshëm në veri të vendit, duke sekuestruar një sasi të konsiderueshme armësh.

Në kuadër të komunikimit të vazhdueshëm me qytetarët, zyrtarët policorë nga Drejtoria Rajonale e Policisë Mitrovicë Veri pranuan informacione mbi dyshimet se në një lokacion në komunën e Zubin Potokut mund të gjendeshin armë dhe mjete të tjera ilegale.

Pas marrjes së këtij informacioni, njësitë policore ndërmorën veprime të menjëhershme, duke kryer kontroll në një hambar në fshatin Kleçkë, në komunën e Zubin Potokut.

Gjatë kontrollit, policia gjeti dhe sekuestroi:

* 1 pushkë gjuetie;
* 1 pushkë gjuetie gjysmë-automatike;
* 1 armë automatike;
* 1 pushkë gjuetie dy-tytëshe;
* 1 revole (TT) me një karikator të zbrazët;
* 33 fishekë për armë të gjata;
* 1 këllëf me optikë për armë të gjata;
* 2 karikatorë të zbrazët për armë të gjata.

Deri në këtë fazë, nuk ka persona të arrestuar në lidhje me rastin.

Të gjitha veprimet policore i janë raportuar Prokurorit të Shtetit, i cili ka udhëzuar nisjen e hetimeve për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Policia e Kosovës falënderoi qytetarët për bashkëpunimin dhe besimin e treguar, duke i inkurajuar ata të vazhdojnë të ofrojnë informacione që kontribuojnë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike. Në njoftimin e saj, Policia thekson se çdo informacion lidhur me raste të dyshimta mund të raportohet në numrin emergjent 192.