Popullsia e Italisë ndalon rënien pas 12 vitesh, falë emigracionit

Popullsia e Italisë është stabilizuar pas një periudhe 12-vjeçare rënieje, pasi emigracioni ka kompensuar pothuajse tërësisht numrin e ulët të lindjeve. Ndërkohë, jetëgjatësia vazhdon të shënojë rritje. Këtë e bëri të ditur instituti kombëtar i statistikave, ISTAT.

Sipas të dhënave paraprake, më 1 janar të këtij viti, popullsia rezidente numëronte 58.94 milionë banorë, duke mbetur thuajse e pandryshuar në krahasim me një vit më parë. ISTAT thekson se, pa një emigracion të qëndrueshëm, popullsia do të rinisë të bjerë, duke shtuar presionin mbi tregun e punës dhe financat publike, siç raporton Reuters.

Ky stabilizim vjen gjatë qeverisjes së Kryeministres Giorgia Meloni, e cila ka mbajtur një qëndrim të ashpër ndaj migrantëve të parregullt, por ka rritur numrin e vizave të punës për shtetasit jashtë Bashkimit Evropian.