Njohësi i arsimit, Ismet Potera, ka thënë se shkollat në Kosovë nuk i kanë kushtet e nevojshme për zbatimin e mësimit tërëditor, duke vlerësuar se mungesa e hapësirës, stafit shtesë, kushteve për temperatura të larta dhe ushqimit po krijon telashe në proces.
Potera ka thënë se qëllimi i mësimit tërëditor është i mirë, pasi nxënësit mbahen më gjatë në shkollë dhe largohen nga teknologjia e rruga, por ka kritikuar mënyrën e organizimit, duke thënë se barra kryesisht po bie mbi mësimdhënësit dhe se zbatimi është dashur të bëhet gradualisht, duke nisur nga shkollat që kanë kushtet e nevojshme.
“Po tash mësimin tërëditor ne nuk jemi që e kemi shpik ne. Por mënyra e organizimit shihet që ka shumë ankesa për shkak se po i bie barra kryesisht mësimdhënëseve që të merren me mësimin tërëditor, jo pjesa tjetër që duhet të angazhohet ekstra për të organizuar aktivitete të tjera. E dyta rrethanat në të cilat punojnë shkollat në Kosovë janë krejt të tjera fare nga rrethanat të cilat për shembull vendet e tjera që e kanë mësimin tërëditor. Për shembull vetëm kur temperatura është 30 gradë Celsius e si organizohen aktivitetet në këtë kohë kur nuk kanë flladitëse ose kondicioner, pastaj çështja e ushqimit, pastaj çështja e programeve ekstra që duhet të mbahen. Kështu që ka shumë telashe nuk di a janë studiuar mirë”, tha ai.
Ai ka vlerësuar se për zbatimin e mësimit tërëditor nevojitet edhe staf shtesë, në mënyrë që nxënësit të kenë aktivitete kreative dhe të dobishme gjatë kohës së qëndrimit në shkollë.
“Qëllimi është shumë i mirë sepse me i larguar nxënësit nga teknologjia, nga rruga e të tjerë me i mbajtur në shkollë, po megjithatë kjo ka kosto shumë të lartë. E dyta ka nevoja për personel ose për staf shtesë për angazhim për të punuar me këta fëmijë. Për shkak se nëse vetëm i mbajmë në shkollë e nuk organizojmë diçka kreative për nxënësit edhe pse i kam parë programet që ka edhe aktivitete sportive, artistike e të tjera e të tjera, po megjithatë sa janë në nivel të organizimit ato është një pikëpyetje”, tha ai.
Potera ka thënë se mungesa e hapësirës është një prej problemeve kryesore, sidomos në shkollat e Prishtinës, të cilat, sipas tij, janë të mbingarkuara me nxënës.
“Absolutisht mungojnë kushtet, e sidomos për shembull në shkollat e qytetit ta marrim Prishtinën, ku hapësira është problemi numër një, sepse thuaja të gjitha shkollat në Prishtinë janë të mbingarkuara me numër të nxënësve. T’a zëmë t’a marrim një shkollë si Ismail Qemali ka 3000 nxënës. 3000 nxënës vetëm me hy me dalë aty është një problem i madh, jo më me organizu aktivitete të tjera jashtëmësimore”, tha ai.
Sipas tij, mësimi tërëditor është dashur të zbatohet fillimisht në shkollat që kanë kapacitete për një organizim të tillë dhe më pas të zgjerohet gradualisht.
“Absolutisht qëllimi është shumë i mirë që fëmijët të mbahen në aktivitete domethënë të mbahen aktiv në aktivitete në mësime e të tjera, por kushtet ndoshta është dashtë të shkohet hap pas hapi në shkollat të cilat vërtet kanë mundësi edhe fizike edhe të tjera të organizojnë edhe pastaj duke i siguruar kushtet për shkolla të tjera të zgjerohet rrjeti i shkollave të cilat organizojnë mësimin tërëditor”, tha ai.
Potera ka kritikuar mënyrën e zbatimit të programit, duke thënë se problemet janë shfaqur gjatë procesit, përfshirë mungesën e mjeteve për pagesën e stafit shtesë, hapësirës dhe ushqimit për nxënësit.
“Për ndryshe kështu një farë mënyre fushatë kështu ajo vetëm mund ta dëmtojë procesin, jo ta ndihmojë. Kështu që unë e di që kam qenë në një takim para se me filluar zbatimi i programit për shkollat tërëditore dhe nga drejtoria e arsimit e Prishtinës e ka thënë që të gjitha janë siguruar. Janë siguruar buxheti e të tjera e të tjera, mirëpo më vonë doli që nuk është siguruar. Edhe kështu që telashet lindën në proces pastaj sepse nuk kishin mjete për me pagu stafin ekstra i cili do të punojë për aktivitetet e ndryshme, pastaj nuk është e siguruar hapësira e mjaftueshme, pastaj për shembull e kemi telashën e ushqimit ku nxënësit nuk e pranojnë ushqimin çfarë ju servohet e të tjera e të tjera, kështu që ka telashe”, tha ai.

