**Irlanda merr Presidencën e BE-së: Mbështet përparimin e Kosovës drejt Unionit, me kusht zbatimin e reformave**
**DUBLIN, IRLANDË** – Irlanda, e cila mori Presidencën e Këshillit të Bashkimit Europian nga 1 korriku deri në fund të vitit, do të mbështesë përparimin e Kosovës drejt anëtarësimit në BE, me kusht që të zbatohen të gjitha reformat e nevojshme. Kështu deklaroi Presidenca irlandeze për Gazetën Express, megjithëse pa premtuar asgjë konkrete në lidhje me avancimin e dosjes së aplikimit të Kosovës.
Irlanda e sheh zgjerimin e Bashkimit Europian si një investim gjeostrategjik për paqen, sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e kontinentit. “Irlanda e mbështet fuqishëm zgjerimin e Bashkimit Europian, i cili është një nga prioritetet kryesore të Presidencës sonë të BE-së. Irlanda do të mbështesë përparimin e të gjitha vendeve kandidate dhe kandidate potenciale, përfshirë Kosovën, drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, aty ku plotësohen kushtet dhe me kusht që të zbatohen të gjitha reformat e nevojshme,” theksohet në përgjigjen e Presidencës.
Kosova e dorëzoi aplikimin e saj për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022, gjatë presidencës çeke. Megjithatë, që nga ai moment, dosja ka mbetur e stagnuar, pavarësisht ndërrimit të shumë presidencave, disa prej të cilave kanë qenë shtete njohëse dhe mike të Kosovës, ndërsa të tjera mosnjohëse.
Ndërsa në shpalosjen e objektivave të saj për këtë gjashtëmujor, Irlanda nuk e përmend Kosovën konkretisht, por vetëm në kuadër të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Ndryshe ka vepruar me vende të tjera kandidate: ajo premtoi se do të çojë në fund negociatat e anëtarësimit me Malin e Zi dhe do të përshpejtojë negociatat me Ukrainën, Moldavinë dhe Shqipërinë.
“Presidenca irlandeze do t’i japë përparësi përfundimit të negociatave të anëtarësimit me Malin e Zi dhe do të avancojë hartimin e Traktatit të Anëtarësimit të Malit të Zi. Ne do të synojmë të arrijmë përparim të shpejtë në negociatat me Ukrainën, Moldavinë dhe Shqipërinë. Gjithashtu, marrim në konsideratë referendumin e planifikuar në Islandë,” theksohet nga Presidenca irlandeze.
Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, uroi homologen e tij irlandeze, Helen McEntee, për marrjen e Presidencës së Këshillit të Bashkimit Europian. “Angazhimi i qëndrueshëm i Irlandës ndaj zgjerimit të Bashkimit Europian ka një rëndësi të veçantë për rrugën europiane të Kosovës dhe pres me padurim bashkëpunimin e ngushtë me Presidencën irlandeze gjatë muajve në vijim,” shkroi Konjufca në platformën X (ish-Twitter).
**Sfida e Reformave dhe rreziku i humbjes së fondeve**
Rruga e Kosovës drejt reformave të kërkuara nga BE po vështirësohet, edhe në kontekstin e Planit të Rritjes – një paketë e Unionit me vlerë 6 miliardë euro që synon t’i ndihmojë gjashtë vendet e rajonit të përafrohen me BE-në. Mungesa e stabilitetit institucional në Kosovë po rrezikon që vendi t’i humbë këto fonde.
Kryenegociatori i Kosovës për bisedimet me BE-në, Jeton Zulfaj, deklaroi më 1 korrik se gjashtë nga trembëdhjetë hapat e kërkuar nuk u zbatuan plotësisht deri në afatin shtesë të 30 qershorit. “Për hapat që nuk kanë arritur të përfundohen në periudhën shtesë, mjetet e dedikuara për përfundimin e tyre humbasin. Kostoja llogaritet të jetë mbi 40 milionë euro. Vlera e saktë do të përcaktohet nga Komisioni Evropian, varësisht nëse do t’i llogarisë edhe nënhapat e zbatuar,” tha Zulfaj.
Së fundmi u raportua se Bashkimi Europian do të ridrejtojë fondet për reforma në Ballkanin Perëndimor drejt vendeve që kanë shënuar përparim më të madh në procesin e integrimit, si Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.
Për këtë përparim të shpejtë të shteteve fqinje të Kosovës (përjashtuar Serbinë) drejt BE-së, si dhe për mundësinë që kufiri i BE-së për Kosovën të bëhet Kukësi dhe Rozhaja, paralajmëroi sot analisti politik Agon Maliqi. Ai shprehu shqetësimin se një hartë e re e mundshme e BE-së do të nënkuptonte për Kosovën një “ngulitje” nën ombrellën e “botës serbe” dhe një përmbysje të integrimit të Kosovës me Shqipërinë, për shkak të vendosjes së një kufiri të fortë europian.
“Nëse Kosova nuk mbushet mend dhe nuk del nga euforia populiste dhjetëvjeçare mbi dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli, brenda 3-5 viteve kjo mund të bëhet harta politike e Ballkanit, me Kukësin dhe Rozhajën si kufi europian të Kosovës. Rezultati ironik i ‘sovranistëve’ që po e luftojnë Serbinë nga brenda, ka për të qenë ngulitja edhe më e thellë e Kosovës në orbitën e shteteve të marra peng nga Serbia, nën ombrellën e ‘botës serbe’, si dhe përmbysjen e trendit integrues me Shqipërinë, për shkak të një kufiri të fortë europian,” theksoi Maliqi. “Është lehtësisht e kuptueshme pse dështimi i dialogut me Kosovën ka qenë synimi dhe ëndrra e nacionalistëve serbë, pasi kjo e mban Kosovën peng. Më pak e kuptueshme është pse këtij synimi i ka ndihmuar edhe euforia jonë populiste.”
