Presidenti i Atletico Madridit, Enrique Cerezo, ka dhënë verdiktin e tij për të ardhmen e sulmuesit Julian Alvarezit.
Gjatë gjithë kësaj vere, Alvarezi ka shprehur dëshirën për t’u larguar nga “Los Rojiblancos” dhe disa klube kanë shfaqur interes për transferimin e tij, më së shumti Arsenali, Barcelona dhe Real Madridi.
26-vjeçari, i cili ka kontratë me gjigantët spanjollë deri në qershor të vitit 2030, thuhet se ka një çmim prej plot 150 milionë paundësh, gjë që e bën çdo transferim të mundshëm edhe më të vështirë.
Aktualisht, Alvarezi është i përqendruar te përfaqësuesja e Argjentinës në përpjekje për të fituar një tjetër Kupë Bote dhe pritet të jetë titullar në ndeshjen e së premtes në raundin e 32 skuadrave kundër Kepit të Gjelbër (Cape Verde), ndërsa çështja e së ardhmes së tij është lënë për momentin në plan të dytë.
Megjithatë, ylli i Barcelonës, Lamine Yamali, e ka ftuar Alvarezin t’i bashkohet në “Camp Nou”, duke hapur potencialisht rrugën për një transferim të madh, pasi Real Madridit iu refuzua në qershor një ofertë marramendëse prej 129 milionë paundësh.
Por, pavarësisht se lojtari ka shprehur dëshirën për t’u larguar këtë verë, presidenti i Atletico Madridit, Cerezo, këmbëngul se argjentinasi i gjithanshëm do të mbetet në kryeqytetin spanjoll pasi të mbyllet afati kalimtar në shtator.
“Julian Alvarez? Asgjë nuk ka ndryshuar, ai do të qëndrojë te Atletico,” tha Cerezo.
“Aktualisht nuk ka asnjë ofertë. Edhe nëse do të ketë propozime, Alvarez në fund do të qëndrojë sepse ne nuk duam ta shesim”, shtoi ai.
Edhe Maxi Rodriguez i është bashkuar Lamine Yamalit duke i bërë thirrje Alvarezit të transferohet te Barcelona, duke sugjeruar se më e mira do të ishte që të dy klubet të shmangnin krijimin e një sage të gjatë transferimi.
“Nuk e di situatën e saktë; secili gjithmonë do të mbrojë interesat e veta. Më e mira është të arrihet një zgjidhje,” tha Rodriguezi.
“Tifozët gjithmonë duan atë që është më e mira për klubin e tyre, ndërsa Juliani dëshiron atë që është më e mira për veten e tij. Duhet të marrim përgjegjësi për atë që bëjmë. Por… nuk mund të flas për këtë sepse nuk e njoh plotësisht situatën”, tha tutje ai.
“Nuk e di saktësisht se cilat janë qëndrimet e palëve. Është e vështirë ta analizosh ose të flasësh nga jashtë”, u shpreh ai.
Alvarezi ka shënuar 49 gola dhe ka dhënë 17 asistime në 106 paraqitje me fanellën e Atleticos, ndaj nuk është aspak çudi që Cerezo është i vendosur ta mbajë një nga asetet më të çmuara të klubit.
Ndërsa Atletico Madridi është i gatshëm të refuzojë çdo ofertë për lojtarin me numrin 19, klubi rrezikon të përballet me një futbollist të pakënaqur, gjë që mund të ndikojë në harmoninë e dhomës së zhveshjes.
Në fund, Alvarezi dëshiron të “realizojë ëndrrën e tij” për të luajtur te Barcelona dhe duket se, herët a vonë, ai do të transferohet në “Camp Nou”, edhe nëse kjo nuk ndodh gjatë këtij afati kalimtar.
“Kam folur me njerëzit e klubit, me ata me të cilët duhej të flisja, dhe mendoj se gjëja më e mirë për të gjithë është një transferim. Unë dua të realizoj ëndrrën time,” tha Alvarezi pas fitores 2-0 të Argjentinës ndaj Austrisë javën e kaluar.
“Nuk është momenti për të folur për këtë, por gjithashtu nuk mund ta fsheh. Përpiqem të jem një njeri i sinqertë”, shtoi ai.
Spekulimet për të ardhmen e kampionit të botës pritet të vazhdojnë deri në fund të afatit kalimtar dhe mbetet për t’u parë nëse ai do të lejohet t’i bashkohet Barcelonës./GazetaExpress/
