Real Madridi dhe Kylian Mbappe janë përfshirë në një polemikë të panevojshme dhe krizë diplomatike me Kinën, pas komenteve të futbollistit francez për memen e diktatorit Mao Ce Dun gjatë ceremonisë së Topit të Artë.

Ndonëse Mbappe ishte treguar thjesht ironik me deklaratën e tij, komentet nuk janë pritur mirë në Kinë, ku disa investitorë kanë tërhequr mbështetjen e tyre, duke ndikuar jo vetëm te futbollisti francez, por edhe te Real Madridi.

Të dyja palët kanë kërkuar falje ndaj shtetit kinez për këto komente, por situata duket se është larg zgjidhjes

. Madje, sipas raportimeve, transmetuesit televizivë kinezë kanë refuzuar ta transmetojnë ndeshjen e sotme ndërmjet Real Madridit dhe Racing Santanderit.

Megjithatë, sipas Philippe Diallos, presidentit të Federatës Franceze të Futbollit, kjo situatë mund të marrë fund shumë shpejt.

“Polemika që përfshin Kylian Mbappen dhe Kinën? Kjo nuk duhet të zgjasë edhe shumë, sepse Kylian Mbappe e ka shpjeguar shumë mirë kontekstin e deklaratës së tij”, ka thënë ai në një intervistë të fundit.

“Ai ka kërkuar falje dhe kjo çështje duhet të mbyllet, në mënyrë që ai ta vazhdojë sezonin në kushtet më të mira të mundshme”, ka shtuar Diallo.

Nëse raportimet për refuzimin e transmetimit të ndeshjes Real Madrid – Racing Santander nga televizioni kinez janë të vërteta, atëherë kjo nuk përputhet plotësisht me optimizmin e presidentit të Federatës Franceze të Futbollit.

Megjithatë, duket se francezi është optimist se situata do të përmirësohet gjatë ditëve në vijim, pasi të dyja palët po bëjnë përpjekje për të qetësuar reagimet e shkaktuara në Kinë.

Padyshim që kjo nuk ka qenë një javë e mirë për Mbappen. Pas zhgënjimit në ceremoninë e Topit të Artë, ku përfundoi në vendin e dytë pas Harry Kane, francezi u gjend në qendër të një tjetër polemike, kësaj radhe me Kinën.

Megjithatë, Mbappe mbetet i përqendruar te sezoni aktual. Ai tashmë ka kërkuar falje për komentet e tij lidhur me Kinën dhe shpreson që kjo çështje të zgjidhet sa më shpejt.

Ndërkohë, Mbappe shënoi gol ndaj Racing Santanderit, në fitoren e sontme prej 3-0 të Realit./GazetaExpress/