Selin Bollati: Pjesëmarrja në “Big Brother” shkaktoi krizën e prindërve, i bashkova me negociata

Në kuadër të një diskutimi mbi divorcin dhe perceptimin shoqëror ndaj grave të divorcuara, Selin Bollati ndau në emisionin “Goca dhe Gra” një rrëfim personal. Ajo foli për një periudhë të vështirë në marrëdhënien e prindërve të saj, e cila kulmoi me një krizë serioze pas pjesëmarrjes së saj në “Big Brother”.

Bollati shpjegoi se vendimi i saj për të marrë pjesë në reality show u bë shkak për mosmarrëveshje mes prindërve. “Një prind e suportonte, ndërsa tjetri jo, dhe kjo shkaktoi një konflikt të brendshëm mes tyre, në vend që të më pyesnin mua për arsyet e vendimit,” tha ajo.

E pyetur nga Ori Nebijaj nëse konflikti lidhej pikërisht me “Big Brother”, Selina konfirmoi: “Po, rasti i ‘Big Brother’-it. Vendimin e mora me konfirmimin e të dy prindërve. Por pas përfundimit, ndërsa njëri prind e përqafoi këtë rrugëtim timin, tjetri e shihte thjesht si dëshirë timen për të sfiduar veten dhe më kishte dhënë lirinë ta çoja deri në fund.”

Bollati theksoi se kriza vazhdoi edhe pas largimit të saj nga programi, dhe ajo e ndjeu veten përgjegjëse. “Unë isha faktori që prindërit e mi po përjetonin një krizë serioze në marrëdhënien e tyre. E kam ndarë shpesh këtë me miqtë kur situata ishte tensionuar,” u shpreh ajo.

Gjatë asaj periudhe, Selina reflektoi mbi divorcin dhe rolin e fëmijës në marrëdhënien prindërore. “Kupton se fëmija mund të jetë faktori që çon prindërit drejt ndarjes, por, në rastin tim, unë pashë se fuqia e fëmijës mund t’i ribashkojë,” rrëfeu ajo.

E pyetur nga Orinda Huta për situatën aktuale, Selina theksoi se prindërit e saj janë sërish bashkë. Ajo ia atribuoi këtë rezultat “negociatave” të saj: “E kuptova që unë isha shkaku dhe ndërmora veprime. Kjo ishte një përgjegjësi e madhe, pasi asnjë fëmijë nuk dëshiron t’i shohë prindërit keq, apo të ndarë,” përfundoi Bollati.