Prokuroria Speciale arreston 5 persona të dyshuar për Masakrën e Reçakut: Ishin pjesë e policisë serbe
Prokuroria Speciale, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka njoftuar arrestimin e pesë personave, të dyshuar për përfshirje në Masakrën e Reçakut të vitit 1999. Ky operacion u bë në kuadër të rastit të njohur si “Reçaku II”.
Në një konferencë për media pas operacionit, prokurori special, Ilir Morina, dha detaje lidhur me hetimet. Ai theksoi se megjithëse ishte ngritur një aktakuzë për rastin e Masakrës së Reçakut në dhjetor të vitit të kaluar, hetimet nuk kishin përfunduar.
“Kemi vazhduar me mbledhjen e dëshmive të rëndësishme. Hetimet e zhvilluara gjatë këtyre gjashtë muajve na mundësuan të identifikojmë disa persona që ishin pjesë e Njësive të policisë së Serbisë në kohën e ngjarjes, dhe që morën pjesë në sulmin e 15 janarit 1999 në fshatin Reçak,” citohet të ketë thënë Morina nga Gazeta Express.
Morina shtoi se pas sigurimit të provave të mjaftueshme, ishin kërkuar urdhër-arresti dhe urdhërkontrolli, të cilat u miratuan nga gjykata. “Sot kemi ekzekutuar urdhrin dhe kemi arrestuar pesë persona, të cilët janë të përfshirë në kryerjen e Masakrës së Reçakut,” përfundoi ai.
