Mandati i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) në Hagë do të përfundojë vetëm pasi Bashkimi Evropian t’i njoftojë institucionet e Kosovës se hetimet dhe procedurat përkatëse janë mbyllur. Kjo deklaratë vjen pas aktgjykimit dënues të shkallës së parë, lëshuar më 16 shtator, ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Vendimi ka ngjallur kundërshti të mëdha në Kosovë, duke intensifikuar thirrjet për shfuqizimin e Dhomave të Specializuara, të njohura si Specialja, në Hagë. Këto kërkesa u artikuluan edhe gjatë një proteste të mbajtur dje në mbështetje të katër ish-krerëve të UÇK-së.
Megjithatë, Zëdhënësi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Chris Bennett, ka sqaruar se institucioni i tij nuk komenton mbi ekzistencën apo detajet e ndonjë hetimi, as mbi kohën se kur do të përfundojë mandati i tij.
“Mandati i Zyrës së Prokurorit të Specializuar vazhdon derisa Këshilli i Bashkimit Evropian t’i njoftojë institucionet e Kosovës se hetimet dhe çdo procedurë që rrjedh prej tyre kanë përfunduar”, theksoi Bennett në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.
Duke e konsideruar vendimin si të padrejtë dhe të pabazuar në fakte, disa deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Kuvendin e Kosovës kërkuan mbajtjen e një seance për shfuqizimin e Speciales. Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, i pyetur mbi mundësinë e shfuqizimit të Gjykatës Speciale, u shpreh se “të gjitha veprimet demokratike dhe ligjore janë të mundshme”.
