Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka bërë të ditur se, me urdhër të saj, janë ndaluar për 48 orë edhe dy persona të dyshuar në kuadër të hetimeve që po zhvillohen në rastin “Pastrimi”.

Sipas njoftimit, të dyshuarit me inicialet K.V. dhe F.V. dyshohen për kryerjen e disa veprave penale, përfshirë pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar, kontrabandim të mallrave në bashkëkryerje, dokumente të rrejshme lidhur me tatimin, shmangie nga tatimi, shpëlarje të parave, si dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

PSRK njofton se ndalimi i tyre është bërë në kuadër të veprimeve procedurale hetimore që po zhvillohen për këtë rast.

Ndërkaq, lidhur me të njëjtin operacion, më 1 korrik ishin arrestuar edhe nëntë persona të tjerë, ndërsa hetimet për rastin “Pastrimi” janë ende në vazhdim.