Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj Fatmir Shehollit, duke e akuzuar atë për veprat penale të spiunazhit dhe shantazhit. Dyshohet se Sheholli ka vepruar me urdhra të Shërbimit Informativ të Serbisë (BIA) dhe ka pasur një plan për të ndërhyrë në procesin zgjedhor të Kosovës.
Detajet e aktakuzës u prezantuan nga prokurori Bekim Kodraliu, i cili theksoi se Sheholli dyshohet se ka ndihmuar veprimtarinë e BIA-s duke mbledhur dhe përcjellë informacione të ndjeshme lidhur me aktivitetet politike, gjendjen e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve të Republikës së Kosovës.
Sipas prokurorit, Sheholli, nga një datë e pacaktuar deri më 9 tetor 2025, dyshohet se ka vepruar në përputhje me udhëzimet dhe detyrat e caktuara nga një zyrtar i lartë i BIA-s, Bojan Dimiç, drejtor i Drejtorisë Kundër Terrorizmit dhe Krimit të Organizuar Ndërkombëtar. Ai ka mbledhur, siguruar dhe përcjellë, përmes komunikimeve telefonike, të dhëna, informacione dhe dokumente tek ky zyrtar.
Në kuadër të këtyre veprimtarive, i akuzuari dyshohet se ka zbatuar edhe një plan operativ të përgatitur nga i njëjti zyrtar i BIA-s. Ky plan, sipas aktakuzës, kishte si synim dëmtimin e interesave të Republikës së Kosovës dhe ndërhyrjen e drejtpërdrejtë në procesin zgjedhor të mbajtur më 12 tetor 2025.
Si pjesë e këtij plani, më 26 shtator 2025, rreth orës 14:00, Sheholli, i shoqëruar nga një anëtar i familjes, udhëtoi për në Mitrovicën e Veriut. Atje, në parkingun e Shkollës Teknike, afër kafiterisë “Sindikata”, ai mori nga një person i paidentifikuar materiale audio dhe transkripte bisedash të disa zyrtarëve të lartë të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, të destinuara për komprometimin e tyre. Për këtë detyrë, Sheholli mori edhe shumën prej 5,000 euro.
Më pas, në zbatim të udhëzimeve të BIA-s, Sheholli materialet ia dorëzoi gazetarit Milaim Zeka, së bashku me 1,000 euro, duke e udhëzuar për mënyrën dhe kohën e publikimit të tyre në emisionin e tij “Pa Rrotlla”, vetëm disa ditë para ditës së votimit për zgjedhjet lokale.
Prokuroria thekson se këto veprime konkrete, të ndërmarra në funksion të detyrave të caktuara nga BIA, kanë dëmtuar seriozisht interesat shtetërore, kanë diskredituar institucionet dhe zyrtarët e tyre, kanë kontribuar në thellimin e përçarjeve shoqërore dhe kanë mundësuar ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të një shërbimi të huaj informativ në një proces zgjedhor në Republikën e Kosovës. Me këto veprime, Fatmir Sheholli dyshohet se ka kryer vazhdimisht veprën penale “Spiunazhi” nga neni 124 par.3 lidhur me nenin 77 të KPRK-së.
Përveç spiunazhit, Sheholli akuzohet edhe për veprën penale të shantazhit ndaj Arben Jetullahut, pronar i një biznesi në Kosovë. Prokurori theksoi se i pandehuri, nga viti 2022 deri në dhjetor 2025, madje edhe gjatë kohës që ishte në paraburgim, dyshohet se ka kërkuar para nga Jetullahu, duke e detyruar të dëmtojë pasurinë e tij në shumën mbi 13,000 euro. Ai e bënte këtë duke i kërkuar para gjoja në emër të huazimit dhe duke e kërcënuar me publikimin e video-incizimeve dhe informacioneve që do t’i dëmtonin rëndë nderin, reputacionin dhe autoritetin.
Këto veprime të të pandehurit janë vërtetuar edhe përmes zbatimit të masave të veçanta hetimore, të urdhëruara nga gjykata kompetente. Gjatë këtyre masave, janë siguruar komunikime dhe porosi kërcënuese të të pandehurit drejtuar të dëmtuarit. Edhe gjatë kohës në paraburgim, Sheholli, përmes një familjari të tij, i dërgoi porosi kërcënuese të dëmtuarit, duke kërkuar pagesë mujore prej 700 euro me paralajmërimin se, në të kundërtën, do të publikonte një video-incizim që do t’ia dëmtonte rëndë nderin dhe reputacionin. Si pasojë e këtyre kërcënimeve, i dëmtuari, përmes një punonjësi të tij, i dorëzoi familjarit të të pandehurit shumën prej 5,000 euro. Me këto veprime, Fatmir Sheholli dyshohet se ka kryer vazhdimisht veprën penale “Shantazhi”, nga neni 329 par. 2 lidhur me nenin 77 të KPRK-së, raporton Ekonomia Online.
