**Studentët Shqiptarë Protestojnë në Shkup për Të Drejtën e Provimit në Gjuhën Amtare, Mbështeten nga Kryediplomati Hoxha**

Studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut pritet të protestojnë sot në Shkup. Ata kërkojnë të drejtën për të dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe, një e drejtë e garantuar me Kushtetutë dhe ligj, por që ata pretendojnë se u mohohet vazhdimisht.

Kërkesa e tyre ka marrë mbështetjen e ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha, i cili e ka cilësuar atë “të drejtë dhe legjitime”.

Nëpërmjet një postimi në platformën X, ministri Hoxha theksoi se kishte ndjekur me vëmendje shqetësimin e studentëve. “Përdorimi i gjuhës amtare është një e drejtë themelore, e garantuar nga Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut dhe Ligji për Përdorimin e Gjuhëve, e cila nuk mund dhe nuk duhet të ngushtohet apo vonohet nga asnjë procedurë,” shkroi ai. Hoxha shtoi se nëse procedurat janë të mangëta apo të paqarta, është detyrim institucional të gjenden zgjidhje të drejta dhe të qëndrueshme.

Ai theksoi gjithashtu se kjo çështje kërkon “trajtim të matur dhe të përgjegjshëm, larg çdo përpjekjeje për politizim” dhe duhet adresuar “me seriozitet institucional dhe në frymën e respektimit të të drejtave themelore”.

Kryediplomati shqiptar vuri në dukje se demokracitë kanë mekanizmat dhe pjekurinë për të gjetur zgjidhje që harmonizojnë shtetin ligjor, legjislacionin dhe të drejtat e qytetarëve. “Studentët meritojnë përgëzim për angazhimin qytetar dhe mënyrën demokratike me të cilën kanë artikuluar kërkesën e tyre. Kjo kërkon një përgjigje me të njëjtin standard përgjegjshmërie, përmes dialogut konstruktiv dhe zgjidhjeve që respektojnë plotësisht të drejtat e garantuara,” përfundoi ai.