**Pejë: Sulmohet një protestues gjatë demonstratës për Arlinda Zekajn, dy të dyshuar lirohen pas ndalimit policor**
Një person u sulmua fizikisht sot në Pejë, gjatë një proteste ku kërkohej drejtësi për vrasjen e Arlinda Zekajt. Lidhur me këtë ngjarje, Policia e Kosovës ka ndaluar dy persona; njëri prej tyre u arrestua dhe tjetri u shoqërua në stacionin policor.
Lajmin e ka konfirmuar për mediat zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova, i cili shpjegoi detajet e incidentit.
Rugova deklaroi se “gjatë protestës së mbajtur sot në qytetin e Pejës, një protestues u sulmua fizikisht nga një qytetar. Për këtë rast, Policia arrestoi një person të dyshuar, ndërsa pas veprimeve policore, një tjetër person u shoqërua në stacionin policor për përfshirje në këtë incident”.
Më tej, zëdhënësi bëri të ditur se pas intervistimit nga hetuesit policorë dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit, të dy personat e dyshuar janë liruar në procedurë të rregullt. Rasti është iniciuar dhe po trajtohet si “Sulm”.
